E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango legalizon vilën trekatëshe

Mes 1100 ndërtimeve pa leje, që morën dje miratimin e qeverisë për t‘u legalizuar, ishte edhe vila trekatëshe e ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, aktualisht deputet i PD-së. Ndërtesa e Pangos, e cila ndodhet në afërsi të Qytetit Studenti, figuronte e ndërtuar pa leje pas viteve ‘90. Ish-ministri, i cili u shkarkua pak kohë më parë nga Berisha për një çështje skandali seksual, kishte të palegalizuar rreth 250 metra katrorë. Bashkë me të ka përfituar edhe një familjar i tij i afërt, i cili arriti të legalizojë rreth 300 metra të tjera katror, që si Pango, ka vilë trekatëshe. Vila e deputetit të PD-së, që përfaqëson pikërisht zonën e Qytetit Studenti, aty ku ndodhet edhe banesa, u bë vite më parë objekt hetimi nga prokuroria, pasi u shkaktua një incident me lëndë plasëse në garazhin ku ndodhej makina. Në ato kohë Pango mbante detyrën e dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale. Sërish, me skandalin seksual, vila e ish-ministrit u rikthye në qendër të debatit, pasi në të, Pango ftoi një vajzë, e cila kërkonte punë në Institutin e Turizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›