E Diel, 1 Nëntor 2026

Listat dhe policia çështjet më shqetësuese

15/06/2005  Grunet takim me Sekretarin e PD-së

Shefi i Misionit të vëzhguesve të ODHIR, Jorgen Grunet, ka takuar dje sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Ritvan Bode, ku kanë diskutuar për ecurinë e procesit zgjedhor dhe listat e votuesve. Bode tha, pas takimit, se pjesë e bisedimeve ishin abuzimet me fondet të një pjese të kandidatëve të mazhorancës. “Me zotin Grunet biseduam lidhur me ecurinë e procesit elektoral deri më tani. U diskutua mbi progresin që po shihet në këtë fushatë elektorale, por njëkohësisht edhe për shqetësimet që kanë filluar të shfaqen, ku problemi i mospërfshirjes së votuesve në lista, sidomos në Tiranë dhe në Durrës, problemi i abuzimet me postet pushtetore në një numër kandidatësh të PS, problemi i përdorimit të mjeteve ilegale të fushatës elektorale nga një numër kandidatësh mbeten ende shqetësim për të çuar deri në fund një proces të drejtë e të ndershëm. Gjithashtu, u prekën edhe çështje që kanë të bëjnë me policinë, rendin publik, me masat që duhen marrë në ditën e votimit dhe të tjera probleme. Nga ana e PD u dhanë të gjitha garancitë që do të vazhdojmë të zhvillojmë një fushatë korrekte, të ndershme, të drejtë për të çuar deri në fund këtë proces zgjedhor dhe për të mundësuar që zgjedhjet e datës 3 korrik të plotësojnë standardet e kërkuara për sa i takon disponimit që ka PD”, tha Bode.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›