Trafiku i drogës, rreshteri grek, kapo i grupit kriminal
Rreshteri i policisë greke ishte personi që u jepte informacion trafikantëve të drogës në lidhje me lëvizjet e policisë, duke u siguruar kështu trafik të sigurt. Mediat greke, të cilat u referohen burimeve policore të vendit të tyre, sqarojnë se 44-vjeçari mendohet të jetë edhe kreu i grupit me katër veta, 2 shqiptarë dhe 2 grekë, që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Personat u arrestuan në flagrancë fundjavën e shkuar, teksa po përgatiteshin të trafikonin plot 203 kg kanabis sativa të markës shqiptare. Sipas policisë greke, katër persona, duke përfshirë edhe një polic, u arrestuan për trafikimin e sasive të mëdha të drogës në lagjen Marusi, në Athinë.
TrafikuPrej katër muajsh policia e Antidrogës së Athinës kishte në ndjekje një shtetas grek, i cili dyshohej se kishte aktivitet në trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike. Madje, agjentët kishin fiksuar edhe disa takime të objektit të tyre me disa shqiptarë. Kaq ka mjaftuar që Antidroga e Athinës të vazhdonte ndjekjen e shtetasit grek, derisa zbuloi të gjitha lidhjet e tij me trafikun. Zyrtarisht policia tha se një rreshter i policisë, 44-vjeçar, dhe tre persona: një grek 39 vjeç, dhe dy shqiptarë, përkatësisht 31 dhe 32 vjeç, janë pjesë e një grupi kriminal që realizonte trafikun e lëndëve. Ka qenë një kurth i policisë ai që i ndolli trafikantët drejt një blerjeje të stimuluar. Një polic i infiltruar ka mundur ta bindë grekun 39-vjeçar, që ndërmjetësonte me shqiptarët, për sjelljen e 200 kg kanabis sativa kundrejt shpërblimit të majmë 1000 euro për kilogram. Drejt Greqisë mendohet se është sjellë nga shqiptarët sasia e porositur e lëndës narkotike. Për këtë po hetohet intensivisht, pasi duhet të zbulohen edhe personat e tjerë, anëtarë të grupit kriminal. Sipas policisë, droga duhet të ketë kaluar në disa duar, deri kur ka mbërritur në destinacion, te dy shqiptarët, që e kishin porositur pas kërkesës së 39-vjeçarit grek. Trafikantët kishin përcaktuar edhe detajet e shkëmbimit të mallit me paratë. Gjithçka do të realizohej në një njësi tregtare në lagjen Marusi. Trafikantët ishin të qetë për sigurinë e tyre, pasi informacioni për lëvizjet e policisë u vinte nga një pjesëtar i radhëve të saj. Sipas mediave greke, rreshteri helen nuk kishte dijeni për kolegun e infiltruar, kjo vërtetohej edhe me pjesëmarrjen e tij në momentin e shkëmbimit mall-para.
OperacioniKur i kishin kopsitur të gjitha, trafikantët përfunduan në vendshkëmbim një njësi tregtare në Marusi, dhe ndërkohë që po bëheshin gati të kryenin “aktin e fundit”, policia e Antidrogës së Athinës ndërhyri duke vënë në pranga dy shqiptarët posedues të mallit, 39-vjeçarin grek, si dhe një kolegun e tyre, i cili u kishte dalë përpara gjatë hetimeve, por nuk kishin pasur prova të pakundërshtueshme për aktivitetin e tij. Policia njoftonte zyrtarisht se “katër trafikantë të dyshuar të lëndëve narkotike u arrestuan pranë një dyqani në Marusi. Të arrestuarit janë dy të huaj nga Shqipëria, të moshave 31 dhe 32 vjeç dhe dy grekë, 39 dhe 44 vjeç, një prej të cilëve rreshter policie. Të prangosurit akuzohen për trafikimin e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë. Prej katër muajsh policia kishte mundur të siguronte informacion për dy grekët, një prej të cilëve polic, pasi ishin në kërkim e sipër të blerjes nga shqiptarët të sasive të mëdha të kanabisit të papërpunuar që vinte nga Shqipëria”.
Sipas policisë, fundjava ka rezultuar fatale për grupin, pasi ai ra në rrjetën e ngritur prej saj. Në cilësinë e provave materiale u kapën 203,15 kg kanabis sativa, një kamion që shërbente për transferimin e lëndëve narkotikëve, një pistoletë 3,8 mm me gjashtë fishekë, tridhjetë e dy fishekë të kalibrave të ndryshme, gjashtë telefona celularë dhe shuma e 680 eurove.
#