Vizita e kongresistit Engel. Topi: “Zgjedhjet do të faktojnë stabilitetin politik në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim kongresistin amerikan, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i Nju Jorkut, Eliot Engel. Gjatë fjalës së tij, presidenti Topi, pasi bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve të brendshme në vend, konkretisht mbi reformat kushtetuese, ato zgjedhore, në Drejtësi, ekonomi etj., nënvizoi se këto reforma mbeten faktorë të rëndësishëm jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, kreu i shtetit vuri në dukje se ecuria pozitive e situatës parazgjedhore në vend, përfundimi me sukses i pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, - si etapë e rëndësishme e reformës elektorale, - si dhe realizimi i zgjedhjeve të drejta e të pakontestueshme parlamentare të 2009-s për Shqipërinë, do të jenë tregues të qartë të stabilitetit të konsoliduar politik në vend. Ndërsa kongresisti amerikan, Eliot Engel, vuri në dukje rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimin e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan.
12 Maj 2009