E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli e detyron opozitën të braktisë seancën parlamentare

Leskaj: “Kryeministri u largua për shkak se janë zbardhur të vërtetat e Gërdecit”. “Vrasja e deputetit Xhindi nuk është banale, por kriminale para zgjedhjeve”

Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Socialiste kanë braktisur seancën e djeshme parlamentare për shkak të mospërfshirjes në rendin e ditës të pikës së diskutimit të lirë të deputetëve. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leksaj, kërkoi që t’u jepet e drejta e fjalës deputetëve të PS-së, ndërsa akuzoi kryetaren e Kuvendit se për katër vite në këtë post ka përdorur standarde të dyfishta, duke i mohuar opozitës të drejtën e fjalës. I pranishëm gjatë seancës së djeshme ishte kryeministri Berisha, i cili u largua fill pas përfundimit të fjalës përshëndetëse të kongresistit amerikan, Eliot Engel. Këtë veprim Leskaj e cilësoi si frikë të kryeministrit për t’u përballur me të vërtetat e zbardhura në shtyp mbi lidhjen e djalit të tij me tragjedinë e Gërdecit. Pas largimit të opozitës, deputetët e maxhorancës kanë miratuar të vetëm 28 projektligje, pa debat, por vetëm me forcën e kartonit. Midis këtyre projektligjeve ishin edhe 3 marrëveshje për një hua prej 496 milionë dollarësh, me një interes prej 13.9% të marra nga Republika e Shqipërisë dhe që do të paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Opozita është shprehur kundër këtyre marrëveshjeve, pasi sipas tyre janë marrë me interes të lartë.
Debati
“Është e qartë se edhe pas katër vitesh në krye të Kuvendit ju nuk e keni kuptuar se nuk mund t’ia hiqni fjalën opozitës. Nuk keni të drejtë të vendosni se nuk do të ketë 5 minuta diskutim në seancë. Ju po e mbyllni këtë Parlament me standarde të dyfishta, një për opozitën dhe një për deputetët tuaj. Ju ia hiqni fjalën opozitës sa herë trembeni nga problemet që mund të dalin. Motivet janë të qarta. Por dua të di nga kryeministri që iku, i cili me këtë veprim vërtetoi motivin e vërtetë. Ai iku për t’iu shmangur shpjegimeve mbi zbulimin e disa të vërtetave që ditët e fundit janë publikuar në shtyp. Ndaj ju nuk po u jepni mundësi deputetëve të opozitës që të diskutojnë. Për këtë maxhorancë, më shumë së hallet e shqiptarëve, ka rëndësi nepotizmi kryeministror”, - është shprehur gjatë fjalës së saj kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Më tej ajo kërkoi shpjegime për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Leskaj u shpreh se kjo nuk është një vrasje banale, ashtu sikurse po supozohet, por është një vrasje kriminale, që ka ndodhur vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. “U bë më shumë se një javë nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Në emër të opozitës ne kemi respektuar figurën e tij. Ngjarja është shumë e rëndë për të gjithë ne. Është vrarë një politikan i opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ky akt kriminal nuk mund të mbetet në heshtje dhe nuk mund të trajtohet me motive banale, siç ka ndodhur. Ne presim një përgjigje serioze, që nuk e kemi marrë ende. Ky akt barbar duhet të marrë në përgjigje dhe shteti duhet ta japë sa më parë”, - është shprehur Leskaj. Ajo ka ngritur dhe një herë çështjen e kartave të identitetit duke bërë të ditur se ecuria e deritanishme e procesit nuk jep asnjë garanci që shqiptarët të marrin pjesë në votime më 28 qershor. Ajo u shpreh se qeveria ka treguar mungesë vullneti në realizimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
Reagimi
I ashpër ka qenë reagimi i maxhorancës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi nga opozita “që të mos jetë aq e trishtuar, pasi nuk është ndonjë hata e madhe se do të vazhdojë edhe për 4 vjet të jenë në opozitë. “Sa të trishtuar që jeni, moj zonjë! Nuk është hata e madhe që do të jeni përsëri në opozitë. Nuk jeni ju që keni folur, por Edi Rama. Ai ju ka bërë të flisni herë me bilbil, herë me bori. Sa keq që ju ka bërë, mor vëllezër! Unë ju dua. Por ju, po s’patët leje ndërtimi, nuk hyni në kryesi, nuk hyni në parti, nuk hyni në grupin e ri parlamentar. Më vjen shumë keq për ju. Njerëzit me vlerë nuk ju përfaqësojnë. Nuk ecet me 15 përqindësha. Puna është se ai zotëria nuk përfaqëson PS-në. Ndaj më vjen keq për ju. Ai nuk ju përfaqëson ju. Ai është frikacak, i paburrë, që është fshehur 4 vjet rresht pas jush. Ikni si frikacakë. Turp! Hajdeni votoni, se janë para që u jepen shqiptarëve. Apo ju ka thënë ai që të mos votoni? Ai frikacaku s’duhet të fshihet pas jush, të vinte këtu”, - është shprehur Topalli.
Ajo ka sulmuar edhe kryetarin e PSD-së, Skënder Gjinushi, duke u shprehur se ai “nuk vjen më në Parlament. Më i pastër do të jetë Parlamenti pa ty”, - i është drejtuar Topalli Gjinushit. Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se qëndrimi i opozitë është një përpjekje e vazhdueshme për të njollosur Kuvendin.
Ai renditi disa arritje të Kuvendit gjatë 4 viteve, duke përfshirë anëtarësimin e vendit në NATO, ratifikimin e MSA-së, miratimin e ligjeve të rëndësishme, ndërsa shprehu bindjen se PD-ja do të fitojë më 28 qershor. Patozi i cilësoi publikimin e tabulateve telefonike të Delilogjit dhe Mediut me Shkëlzen Berishëm përralla që nuk i besojnë më shqiptarët. “Historitë tuaja me e-mail-e, tabulate dhe përralla si këto harrojini, se nuk kanë ndonjë efekt te shqiptarët. Për ta mund të ngazëllehet ndonjë ortak i Ramës, ose ndonjë nga ata të rinjtë që e shohin politikën si Big Brother”, - është shprehur Patozi.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›