E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Listat" nxisin replikat PS-qeveri

Procesi i kartave të identitetit dhe i listave të zgjedhësve ishte dje në vëmendje të replikave mes Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme. Sekretari për çështjet zgjedhore në selinë rozë, Kastriot Islami, shprehu dyshimin se mbi 10% e shtetasve pa pasaportë do të mbeten pa votuar për shkak se nuk mund të pajisen me to. Sa u përket listave të zgjedhësve, Islami vuri në dukje se listat përfundimtare nuk janë pastruar dhe në to rezultojnë persona që janë 159 vjeç. Në një reagim zyrtar, Ministria e Brendshme përmes zëdhënësit të saj, Fatmir Konja, hodhi poshtë pretendimet e socialistëve, duke u shprehur se listat janë hartuar sipas standardeve Europiane, ndërsa për kartat kjo ministri pas 15 qershorit do të vërë në dispozicion të KQZ-së dhe forcave politike që janë të interesuara listën e plotë të gjithë shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, si dhe lista e plotë e të gjithë shtetasve pa pasaportë që do të mbeten pa u paraqitur për të aplikuar.

Socialistët

Partia Socialiste iu rikthye sërish shqetësimeve të shprehura edhe më parë në lidhje me kartat e identitetit dhe listat e zgjedhësve. Islami vlerësoi se situata në lidhje me kartat është kaotike lidhur me shpërndarjen e letërnjoftimeve për të gjithë ata që kanë aplikuar dhe ekziston një terr i plotë informativ nga ana e Ministrisë së Brendshme. Sipas Islamit, numri i votuesve pa pasaportë që nuk do të kenë në dorë letërnjoftimin, pra që nuk do të kenë mundësi të votojnë, do të jetë shumë më i lartë se 10 për qind. Islami vlerësoi si shqetësuese "bashkëpunimin e dyshimtë të qeverisë me kompaninë koncesionare "Aleat". Askush nuk e kupton përse "Aleat" nuk publikon te dera e zyrës së aplikimit emrat e të gjithë atyre që u ka ardhur letërnjoftimi, që të mos sorollaten".

Në lidhje me listat e zgjedhësve, Islami ironizoi deklaratat e qeverisë se në këto dy procese ka përdorur teknologji moderne, në një kohë kur janë mbi 17 mijë shqiptarë, gati sa dy mandate deputetësh, me moshë mbi 90 vjeç deri te mosha 159 vjeç. Mbi 5 mijë votues me moshë mbi 100 vjeç dhe rreth 3300 votues me moshë mbi 110 vjeç.

Ministria

Pak orë më vonë, në një deklaratë për shtyp, Ministria e Brendshme sqaroi se listat e zgjedhësve në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e një regjistri të ri elektronik të standardeve më të mira Europiane. Zëdhënësi Fatmir Konja tha se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri lista paraprake e votuesve u shpall 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, duke ofruar mundësi të plota për çdo qytetar të kontrollonte dhe korrigjonte gabimet e mundshme në atë listë. Ai vuri në dukje se lista përfundimtare e zgjedhësve është një listë e hartuar dhe konfirmuar zyrtarisht nga çdo kryetar, i çdo njësie të qeverisjes vendore duke pranuar se në listat e zgjedhësve ka një numër qytetarësh me moshë mbi 100 vjeç. "Por, për sa kohë ata ligjërisht janë shtetas që nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët e tyre, siç e parashikon ligji, askush nuk mundet t‘i fshijë ata nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve", u shpreh Konja. Duket krejt i paarsyeshëm, vijoi ai, pretendimi i Partisë Socialiste për të konsideruar të vdekur çdo shtetas që ka mbushur moshën 90 vjeç.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›