E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 5 prioritete për Bulqizën dhe Dibrën

Rruga e Arbrit, punësimi, arsimi, shëndetësia dhe ulja e varfërisë janë ndër prioritetet e Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës pas votës së 28 qershorit. Kreu socialist, Edi Rama, vijoi turin elektoral në Bulqizë, duke prezantuar kandidatët për deputetë në këtë qark. Në përshëndetjen e tij, Rama përmendi detyrimin që ndiente për trevën e Dibrës në përgjithësi dhe Bulqizën në veçanti, e cila ka mbetur zona me nivelin më të lartë të varfërisë edhe pse e "zhytur" në pasuri natyrore të pallogaritshme, për t‘i kushtuar vëmendjen e duhur pas 28 qershorit. "Qeveria i ka kthyer shpinën Bulqizës dhe minatorëve, duke e kthyer minierën me kushte pune çnjerëzore, në zgafellën e fatkeqësive, mbijetesën e mundimshme për banorët e Bulqizës", tha Rama. Më tej, ai shprehu bindjen për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, "pasi Sali Berisha vetëm e ka premtuar atë për 18 vjet rresht". Rama sulmoi nga Bulqiza Kryeministrin Berisha, që me politikën e tij të vjetër, i ka lënë shqiptarët jashtë programit të lëvizjes së lirë pa viza në Europë. "Unë nuk premtoj, tha ai, por angazhohem për lëvizjen e lirë pa viza, pas fitores në zgjedhjet e 28 qershorit". Duke vijuar më tej, Rama u ndal te rritja e analfabetizmit te fëmijët të cilët braktisin shkollën për shkak të varfërisë dhe përdorimi i tyre në mitingjet e PD-së. Me këtë rast ai në emër të fëmijëve, u bëri thirrje prindërve që të mos votojnë për Sali Berishën, që sipas tij u merr fëmijët në kope dhe i çon në mitingje duke i dhunuar kështu psikologjikisht ata. Rama iu drejtua elektoratit edhe me angazhime të tjera, kryesisht për Bulqizën, duke u shprehur se asaj "Zoti i ka falur gjithçka për të qenë e begatë, ndaj më 29 qershor, Bulqizës do t‘i kthejmë dinjitetin, punën e ndershme dhe gjithçka i duhet". Sipas Ramës, banorët e Bulqizës, kanë mbetur të zhgënjyer nga politika e këtyre 18 viteve të shkuara ku aktualisht familjet jetojnë në varfëri ekstreme, krahu i punës emigron për mbijetesë për shkak të papunësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›