E Diel, 1 Nëntor 2026

Liverpuli, ofertë për Morientes

21/12/2004  

Sipas burimeve që vijnë nga klubi i Liverpulit, bëhet e ditur se oferta fillestare për transferimin e Fernando Morientes, nga Real Madrid, është në vlerën e 3.5 milionë stërlinave. Ka qenë vetë trajneri Rafael Benitez, i cili kërkon ta përforcojë skuadrën që ai drejton, duke sjellë në “Anfild Roud”, sulmuesin madrilen. Pas dëmtimit të pësuar në këmbë, nga Djibril Sise, i cili nuk mund të aktivizohet gjatë gjithë këtij sezoni, duket se Benitez do ta kishte tepër të vështirë, për të përballuar sfidat e mëdha në Premier Ligë e Ligën e Kampioneve. Me vetëm çekun Barosh dhe dy sulmuesit e rinj pa eksperiencë, si Mellor, apo Pongole, skuadra e Liverpulit nuk mund të tregonte një garanci të mëtejshme në kompeticionet, ku është duke marrë pjesë. Pavarësisht nga këto shifra të deklaruara, mendohet se klubi i Liverpulit do të përgatisë shumë shpejt, një tjetër ofertë më të lartë për sulmuesin 28 vjeçar. Nga ana tjetër, Morientes pasi ka humbur vendin e tij prej titullari në skuadrën madrilene, pas ardhjes së Majkëll Ouen, vazhdon të kërkohet edhe në Monako. Po ashtu, sipas disa burimeve të pakonfirmuara që vijnë nga klubi anglez, mendohet se duke arritur në ofertën e 5 milionë stërlinave, kjo marrëveshje do të mbyllet pa shumë probleme të mëtejshme. “Që të luash për Liverpulin, kjo do të ishte një kënaqësi e veçantë për çdo futbollist, ka thënë Morientes. Mbi të gjitha, atë skuadër e drejton një trajner si Rafa Benitez, të cilin e kam vlerësuar gjithmonë. Sidoqoftë, mendoj se ka akoma shumë gjëra për t’u zgjidhur, sepse unë nuk kam arritur të flas personalisht me Benitez. Unë e di se Liverpuli më kërkon”. Në sezonin e kaluar futbollistik, Morientes ka qenë një nga golashënuesit më të mirë në Ligën e Kampioneve, ndërkohë kur ishte dhënë borxh te skuadra e Monakos. Pasi ai u rikthye në “Santiago Bernabeu”, e pati të vështirë për të mposhtur konkurrencën e Raul, Ronaldo apo Ouen. Fillimisht mendohej se ai do të bashkohej sërish me francezët e Monakos, por së fundmi ka pranuar se po e shikon të ardhmen e tij krejt ndryshe. “Unë kam kaluar shumë mirë në Monako sezonin e kaluar, por kohët e fundit nuk kam dëgjuar asgjë prej tyre, ka shtuar Morientes. Situata ime tashmë është krejt ndryshe dhe në Madrid kanë akoma dëshirë për të më mbajtur, si pjesë e rëndësishme në skuadër”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›