E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojtari i Vitit” është Ronaldinjo

21/12/2004  

Futbollisti i Barcelonës, Ronaldinjo, është zgjedhur dje në mbrëmje “Lojtari i Vitit” nga FIFA. Asi brazilian mori në total 620 pikë, i ndjekur nga sulmuesi i Francës dhe Arsenalit, Tierri Henri, me 522 pikë. I sapozgjedhuri “Futbollisti Europian i Vitit”, fituesi i Topit të Artë, Andri Shevçenko, sulmusi i Milanit dhe Ukrainës, mori 253 pikë, duke u renditur i treti në votime. "Për mua, fakti që u përzgjodha dhe erdha këtu ishte një nder," është shprehur Ronaldinjo në ceremoninë gala të organizuar nga FIFA, ku janë publikuar edhe çmimet. "Sigurisht që duhet të falenderoj shokët e mi të skuadrës te Barelona, pasi nuk do të kisha arritur ta fitojë këtë çmim pa ndihmën e tyre. Jam shumë i kënaqur te Barcelona dhe dua të jem pjesë e një skuadre fituese, si edhe e një epoke të re me këtë klub dhe s’kam plane të shkoj në ndonjë skuadër tjetër," ka shtuar më tej braziliani, duke hedhur poshtë spekullimet për një transfertë të mundshme te Çelsi. Ky ishte viti i dytë radhazi që Henri përfundon i dyti në votimet, që marrin parasysh mendimin e 157 trajnerëve të kombëtareve në mbarë botën dhe, për herë të parë këtë vit, të 145 kapitenevë të këtyre kombëtareve. Pesë pikë janë dhënë për vendin e parë, tre për të dytin dhe një për të tretin. Ronaldinjo është votuar 89 herë si i pari, Henri 79 herë, ndërsa Shevçenko 34. Fituesi i vitit të kaluar, Zinedine Zidane, që bëri publike edhe tërheqjen e tij nga futboli ndërkombëtar pas Euro 2004, është renditur i katërti në këto votime. Më tej, fituesi i Topit të Artë, vitin e kaluar, çeku Pavel Nedved ka zënë vendin e pestë. Që prej transferimit të tij te Barça, duke ardhur nga Paris St Germain në vitin 2003, Ronaldinjo i ka transformuar katlanasit në një superskuadër, që aktualisht është në krye të kampionatit spanjoll, me nëntë pikë diferencë. Ndryshe nga rivalët e tij në garën për këtë çmim, të organiuar nga Trupi Drejtues i futbollit botëror, Ronaldinjo nuk ka fituar asnjë trofe të madh për klube në vitin që po mbyllet. Për më tepër, braziliani nuk mori pjesë as në Kupën eAmerikës, të fituar nga vendi i tij, pasi është lënë pushim nga trajneri bashkë me Ronaldon dhe Roberto Karlosin. Ronaldinjo është braziliani i katërt që e fiton këtë çmim në historinë e tij të ekzistencës, që nga viti 1991, pas Romarios (1994), tre herë fituesit Ronaldo (1996, 1997 dhe 2002), si edhe Rivaldos (1999). Për t’u veçuar është se katërt brazilianët e kanë fituar çmimin duke luajtur me Barcelonën, edhe pse Ronaldo arriti të jetë i suksesshëm edhe kur luante me Intrin, në vitin 1997 dhe më pas me Real Madridin, në vitin 2002. Nga ana tjetër, gjermania Birgit Prinz ishte fituesja e këtij çmimin në garën për femra, ndërsa “Çmimi i Presidentëve” shkoi për Haitin, për promovimin e ndeshjes së paqes me Brazilin, ndërkohë që këta të fundit fituan çmimin e “Fair Play”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›