E Diel, 1 Nëntor 2026

Saki më pranë Realit

21/12/2004  

Më në fund, ka ardhur edhe konfirmimi i Arrigo Sakit, për tratativat që janë duke u zhvilluar me Real Madrid: “Është e vërtetë, por duhet të presim dhe të tregojmë respekt “. Kështuqë, Arrigo Saki-Real Madrid mund të bëhet. Lajmin e ka dhënë vetë drejtori i përgjithshëm i Parmës, për gazetën e përditshme spanjolle “AS”: “Kam kujtime shumë të bukura nga Spanja, por për hipotezën e Real Madrid, nuk mund të them asgjë”. Ish-trajneri i nacionales italiane ka vazhduar: “Do të isha shumë i lumtur nëse komentoj, pasi diçka të konkretizohet, por ju siguroj se nuk ka ardhur akoma momenti. Nuk mund të flas për Real Madrid, sepse nuk mund të flas për gjëra që nuk kanë ndodhur, edhe pse diçka e vërtetë, për të qenë i sinqertë, ekziston”. Gjithmonë sipas gazetës “AS”, Saki i kërkon presidentit Florentino Perez, më shumë garanci teknike, se sa ekonomike, pra të kuptojë mirë se sa fuqi do të ketë në skuadrën galaktike dhe futbollistët që do të ketë në dispozicion, gjatë periudhës që do të qëndrojë në Madrid. “Është shumë e rëndësishme të di, se cilat do të jenë kompetencat e mia te Reali dhe se çfarë mund të bëj. Reali është njëra nga skuadrat më të mëdha në botë, edhe në nivelin administrativ”. Vite më parë Saki ka refuzuar pankinën e Milanit, ndërsa tani, është gati të transferohet te Real Madrid, me një të ardhme sigurisht si trajner: “Nuk është absolutisht e vërtetë që do të ulem në pankinën e Realit. Vite më parë, kam refuzuar Milanin dhe disa skuadra të tjera evropiane, sepse e kam bërë të qartë që nuk dua të bëj rolin e teknikut. Është një profesion me shumë tension....”.

Saki, në momentet që ka lëshuar intervistën, ndodhej në Bolonja për të vëzhguar nga afër, gjithmonë në shërbim të Florentino Perez, futbollistin e Bolonjës, Megni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›