Liverpuli skeptik, Benitez: Akuilani, një blerje me vlerë
Rafa Benitez hyn në debat për të mbrojtur xhevahirin e tij të fundit, të marrë nga Roma për 20 milionë euro (përjashto bonuset) dhe u kundërpërgjigjet kritikave të shtypit anglez, i cili ditët e fundit është treguar i pamëshirshëm ndaj Alberto Akuilanit. Në fakt, italiani shihet me mosbesim në Liverpul për shkak të dëmtimeve të tij të shumta, të cilat në sezonet e kaluara e kanë detyruar të qëndrojë në bokse dhe e kanë frenuar disi. Por Benitez ka vënë bast mbi të si zëvendësuesin ideal për Ksabi Alonson dhe beson verbërisht te talenti i tij. "Pas një muaji do të jetë më mirë, ka thënë Benitez për ‘Mirror‘, nuk e kemi blerë për 5 ndeshje, por për 5 vite. Në Itali flitet shumë mirë për të dhe nuk është nevoja që të alarmohemi. Kam folur me shumë persona në Itali dhe të gjithë e konsiderojnë një lojtar fantastik. Jam i bindur që ka kualitet për t‘u afirmuar në Premier League". Por Akuilani është sulmuar nga tabloidet angleze, të cilat argëtohen edhe duke shkruar rreth jetës së tij private. "Është shumë popullore me zonjushat", "I ndërron femrat njëlloj si bluzat" ose "Vjen hamshori italian", këto janë disa nga titujt, që "The Sun" i ka dedikuar Albertos. Ky nuk është problem për lojtarin, i cili ka shprehur entuziazmin e tij të madh për këtë aventurë të re: "Liverpuli është një nga skuadrat më të mira të botës dhe për mua kjo është një mundësi e artë. Të grumbullohem nga Lipi për Botërorin Afrika e Jugut 2010 është sigurisht një nga objektivat e mi. Kam zgjedhur Liverpulin pikërisht për këtë".