E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlashi, një nga episodet absurde të diktaturës



I njohur si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së Durrësit, Gjergj Vlashi vitet e fundit ka publikuar dhe libra nga krijimtaria e tij personale dhe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur si Franc Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, Xhejms Olldrixh, shkrimtarë austriakë, spanjollë dhe hispano-amerikanë të shekullit XX etj. Librat e tij janë botuar edhe në Kosovë dhe në Itali. Regjisori i njohur i varietesë, që vitet e fundit ka jetuar mes SHBA, Spanjës dhe Durrësit, qytetit të tij të lindjes, tregon për jetën e tij.

Veprimtaria juaj mbi 60-vjeçare shtrihet në fushat e regjisurës, letërsisë dhe përkthimit. Cilat janë raportet tuaja me këto tre fusha mjaft të gjera të artit dhe kulturës?

Besoj se kanë qenë të mira, me ndonjë përjashtim. Mundet që një veprimtari i ka ndërhyrë tjetrës, po aq sa kam pasur mundësi jam përpjekur që marrëdhëniet mes tyre të ishin të harmonishme. Një gjë mund të them me bindje: të tre këto veprimtari nuk e kanë penguar njëra-tjetrën, përkundrazi besoj se e kanë ndihmuar. Puna ime kryesore ka qenë regjisura, flas nga pikëpamja shtetërore, por letërsia e ka ndihmuar regjisurën, duke e ushqyer me lëndë letrare. Po kështu ka vepruar edhe përkthimi. Kjo ka qenë e nevojshme në gjininë e varietesë, sepse ato trupa që kanë pasur regjisorë që shkruanin kanë realizuar premiera të mira. Këtë mund ta ilustroj me disa shembuj: kështu ka ndodhur me trupën e Fierit, ku ka punuar regjisori-shkrimtar, Pëllumb Kulla; trupa e Shkodrës me regjisorin-shkrimtar Paulin Sekuj apo edhe regjisori-shkrimtar Haxhi Rama, Bujar Kapexhiu dhe Koço Devole. Këto dy të fundit janë edhe karikaturistë, edhe autorë të suksesshëm tekstesh letrare. Duke e hedhur shikimin më larg mund të themi se kështu ka vepruar edhe mjeshtri i madh, Molier, që qe autor, regjisor dhe madje edhe aktor. Nuk guxoj të bëj ndonjë krahasim, po e mora vetëm si shembull.

Prejardhja familjare dhe fëmijëria juaj njihen pak nga publiku. Sa ka ndikuar kjo periudhë e jetës në formimin dhe të ardhmen tuaj?

Prejardhja ime familjare është e thjeshtë. Jam lindur e jam rritur në një familje të mesme qytetare të Durrësit. Im atë ka qenë nëpunës i vogël, nëna shtëpiake. Ajo ishte motra e doktor Anton Ashtës, zhdukësit të malaries në vendin tonë. Kam pasur një xhaxha që studioi për avokat në Padova të Italisë dhe ishte njeri me karakter dhe me kulturë. Për xhaxhain tim, Gjonin, po tregoj diçka gazmore e njëherësh të trishtuar: Kur ishte student e arrestuan fashistët dhe e internuan në ishullin Ventotenne si antifashist. Pas lufte e arrestuan komunistët në Shqipëri dhe e dënuan me vdekje (që iu kthye me burgim të përjetshëm) si fashist... Me një fjalë hoqën "anti" dhe lanë fjalën fashist! Një ndryshim i vogël fare... Ndikimi i familjes ka qenë i madh si për çdo fëmijë. Në lidhje me profesionin tim mund të them se im atë ishte njeri me një ndjenjë të zhvilluar humori dhe kjo ka ndikuar për të mirë tek unë. Im atë, Zefi, ishte arsimdashës. Vetë kishte studiuar për një farë kohe në Vjenë. Mua më dërgoi në Itali që në moshën trembëdhjetëvjeçare. Vitin e parë mësova në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Mitër Koronës tek arbëreshët. Nga ajo periudhë kam shumë kujtime: dy prej tyre lidhen me poetin e madh, Jeronim De Rada. Kam mësuar në klasën ku kishte dhënë mësim poeti i madh; një herë shkova deri në fshatin e tij të lindjes, në Makje dhe pashë shtëpinë e tij.

Në rininë tuaj ka një episod absurd që lidhet me regjimin e kaluar. A ka ndikuar ai në përzgjedhjen e rrugës së artit?

Nuk më pëlqen të flas për atë episod, por po them se kush nuk ka pasur episode absurde në atë regjim, që përveç të tjerave ishte edhe absurd?

Gjergj Vlashi konsiderohet nga specialistët si "babai i varietesë" në vendin tonë. Mbi 100 premiera të drejtuara jo vetëm me trupën "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, por edhe me trupat të tjera të vendit. Jeni shkëputur nga regjisura në vitin 1988. Çfarë pengu keni nga skena?

Peng? Duke u menduar thellë, mund të kem disa. Po përpiqem t’i ftilloj. Kam punuar shumë, kam pasur fatin të bashkëpunoj me mjeshtrat e humorit shqiptar që nga Nikolin Xhoja dhe Tano Banushi, e plot të tjerë si Spiro Strati, Ramazan Njala, Enver Likmeta dhe i ndjeri Aleko Prodani apo Ramazan Zyberi. Në shenjë respekti po përmend ata që nuk jetojnë më e lista mund të zgjatet, por unë po ndalem këtu, duke kërkuar ndjesë. Nuk e fsheh se e kam peng që nuk munda të punoj në vitet e demokracisë, por moshës nuk ke ç’i bën dhe me të nuk hahesh dot! Mendoj se është më mirë të them se nuk kam asnjë peng, jam i qetë dhe fle më rehat.

Keni botuar 18 libra, që nga tregimet e novelat për fëmijë dhe të rritur e deri te romani. A mund të na përshkruani shkurt raportin tuaj me librin dhe me dijen në përgjithësi?

Është një raport i gjatë, i frytshëm dhe thuajse i pandërprerë. Është i njohur mendimi se krijuesi mbetet një nxënës i përhershëm. Këtë nuk e kam harruar dhe jam përpjekur t’i mbetem besnik. Jam munduar gjithnjë të kem një autodisiplinë rigoroze, duke organizuar kohën dhe duke punuar me vullnet të madh. Nuk ka të fshehta të tjera, duke pasur parasysh një fjalë të urtë që thotë: Dija i ka rrënjët e hidhura, po frytet e ëmbla.

Çfarë i pëlqen Gjergj Vlashit jashtë punës së përditshme?

Si të them... mjaft gjëra. Unë përpiqem të ndjek një këshillë të Gëtes që thoshte: Njeriu çdo ditë duhet të lexojë diçka të bukur, të shohë një pikturë të hijshme, të dëgjojë një muzikë të këndshme dhe të thotë ndonjë fjalë me mend.

Në 15 vitet e fundit keni udhëtuar dhe parë shumë. Çfarë ju ka ngelur më shumë në mendje?

Një pyetje që kërkon një përgjigje të gjatë e jo të lehtë. Kur udhëton bota të ngjan përherë më e vogël, por gjithnjë më e bukur dhe vendi yt gjithmonë më i dashur. Udhëtimet kanë një të fshehtë: duhet të dish çfarë të shohësh, të mbash shënime dhe të përpiqesh të mbash mend sa më shumë gjëra.

Një nga destinacionet e preferuara vitet e fundit ka qenë Kosova. Si e përjetoni Kosovën?

Kam qenë tre-katër herë në Kosovë dhe përherë më është dukur më e bukur, më e pasur, më e dashur dhe më e re. Më kanë lënë mbresë njerëzit e saj, të rinjtë e të vjetërit që dinë të sillen, të duan, të vlerësojnë dhe gjithnjë i kanë dyert e shtëpive e të zemrave të hapura.

A i kanë plotësuar fëmijët tuaj aspiratat që keni pasur për ta?

Po, madje nuk e teproj po të them se edhe i kanë tejkaluar. Unë dhe gruaja ime jemi prindër të lumtur. Djali i madh jeton e punon në SHBA. Zefi merret me pikturë dhe ka ekspozuar në disa galeri amerikane. Në muajin shtator të këtij viti do të hapë një ekspozitë në Spanjë. Djali i vogël, Florjani, ka pesëmbëdhjetë vjet që jeton e punon në Spanjë. Drejton edhe një orkestër të vogël "Grupi Instrumental i Shekullit të Njëzetë" dhe jep koncerte me të dhe të tjera koncerte me violinë solo.

Nëse do të rifillonit nga e para jetën tuaj, përveç regjisurës, letërsisë dhe përkthimit, ku do të ndalonit tjetër?

Tre nuk janë pak, madje janë shumë. Nuk do të dëshiroja të ndaloj në asnjë fushë tjetër. Shpresoj që të kem thënë ndonjë fjalë në këto fusha dhe të kem dhuruar disa buzëqeshje. Ky do të ishte shpërblimi më i madh për mua.

Serenata rumune në stinën e nxehtë shqiptare

Serenatat kanë mbushur me tis magjik skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, këtë herë jo nga artistët korçarë, por nga rumunë me origjinë shqiptare të cilët prej disa ditësh kanë ndërmarrë një tur në disa qytete të vendit tonë. Pas turit në Korçë dhe Durrës, grupi artistik “Serenada” i krijuar 6 vjet më parë, fillimisht si grup vokal, për të përfshirë më pas dhe kërcimtarë në gjirin e tij, dha mbrëmjen e kaluar një koncert në Tiranë, ku veç serenatave interpretoi dhe valle popullore përgjithësisht të Shqipërisë së Veriut.

Tetë kërcimtarët dhe tre këngëtarët e këtij grupi, me origjinë shqiptare, kanë interpretuar për mbi një orë në TKOB, duke marrë dhe duartrokitjet e publikut kryeqytetas.

Grupi “Serenada”, është një iniciativë e deputetes rumune Prof. Oana Manolescu, njëkohësisht kryetare e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë, e cila në vitin 2002 krijoi grupin artistik të këngës dhe në vitin 2003 atë të valleve të shqiptarëve të Rumanisë.

“Ishte një videokasetë me serenata dhe këngë popullore shqiptare që më ra në dorë rastësisht, nga e cila grupi ka mësuar shumë”, - tregon Manolescu, që ka shoqëruar grupin “Serenada” në këtë tur në Shqipëri. “U nisa edhe nga ideja se shumica e rumunëve duhet të njihnin kulturën dhe këngët e shqiptarëve”, - vijon ajo. Aktualisht grupi “Serenada” ka 30 serenata të regjistruara dhe gjashtë albume, 3 në shqip dhe 3 në rumanisht.

Përsa i përket komunitetit shqiptar në Rumani, Manolescu thotë se megjithëse ky komunitet nuk është i madh, ai është i mirëorganizuar. Kështu Shoqata e Shqiptarëve të Rumanisë, e themeluar në vitin 1999, dhe e drejtuar nga vetë Manolescu publikon çdo muaj revistën “Miku i Shqiptarit”, ndërsa ka hapur dhe një shtëpi botuese që publikon në të dyja gjuhët (shqip dhe rumanisht). Pjesë e punës së shoqatës janë dhe aktivitetet e ndryshme artistike dhe kulturore që synojnë të tregojnë se shqiptarët në Rumani e ruajnë identitetin nëpërmjet kulturës, siç është dhe turi i grupit “Serenada” në Shqipëri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›