Ljungberg: Spanja është favorite
Kapiteni i Suedisë, Fredi Ljungberg mendon se Spanja është favoritja absolute në Grupin D. Skuadra suedeze po vazhdon përgatitjet në kampin stërvitor të Luganos dhe duket se i kanë vlerësuar maksimalisht të gjithë kundërshtarët në Euro 2008. Ljungberg e ka të qartë se Spanja është një test i vështirë për kombëtaren e tij, megjithatë ai pretendon nga shokët që të japin maksimumin në këtë aktivitet. Ai tha: "Jo vetëm që i shoh si favoritë në grupin tonë, por edhe si favoritë për të fituar Kampionatin Evropian. Ata kanë shumë kualitet, edhe pse nuk kanë përvojën e ndonjë skuadre tjetër të madhe. Në kushte normale ata do të konsideroheshin lider të Grupit D. Por, nëse ne (Suedia) do të luajmë në maksimumin e forcave, atëherë jam i sigurt se do të mposhtim cilindo kundërshtar që kemi përballë". Më pak optimist ishte trajneri Lars Lagerbak, i cili tha: "Spanja është favoritja e padiskutuar për vendin e parë në grup, por kemi besim se do të kualifikohemi, pasi po luajmë mjaft mirë".