E Hënë, 2 Nëntor 2026

Saimir Strati, mozaik me CD per Çelentanon

29/12/2004  Me rreth 300 CD piktori Saimir Strati ndërton një moziak të rrallë me portretin e Adriano Çelentanos, për t’ia dhuruar këngëtarit në shenjë mirënjohjeje për muzikën e tij; në këtë ide do të hapë dhe ekspozitën e parë me yjet e muzikës botërore

Saimir Strati

Moziak me CD për Çelentanon

Muzika është oksigjen për veshin. Që këtu nisi kodi i fshehtë i një piktori për të ngritur atë murin e padukshëm të fantazisë. Për Saimir Stratin, kjo gjë është fare e thjeshtë. Ngulet në studion e tij, vë pak muzikë në sfond dhe puna medoemos i duhet t’i shkojë vaj.

Nganjëherë i qëllon të hutohet deri atje sa të të ngatërrojë muzikën me mozaikët. Vetë pentagrami i notave i çon në mend përfytyrimin e një mozaiku tepër sensibël.

Po të mos qe ky shkak, atëherë çdo gjë do të vazhdonte të ndiqte rrjedhën e një piktori që ndërton mozaikë modernë nga mitologjia.

Por këtu i ndodhi ajo kthesa e madhe në kryq të karrierës, që për ndokënd mund të quhet gati çmenduri. Në këtë rast po ia shpërblejnë idetë.

Strati është natyrë që kërkon mirënjohjen. Për këtë arsye, prej dy vitesh, në mendje i është vërtitur vazhdimisht ideja si të ndërtonte një portret të këngëtarit të famshëm italian Adriano Çelentanos. Fillimisht, tregon Saimiri, e ndërtoi imazhin me gurë të vegjël porcelani. Por nuk i hynte aq në sy, sepse nuk po ngopej, nuk po arrinte atë zenitin e ndjeshmërisë që i shkaktonte muzika e Çelentanos.

Tund kokën kur thotë se kjo nuk ka të bëjë aspak me ndonjë arsye adhurimi, prej fansi. “Doja të konvertoja atë kënaqësi që të jep muzika. Po mendoja vazhdimisht se si mund ta shndërrosh, si ta ngjyrosësh muzikën në këtë pikë të ndjeshmërisë që të jep”, thotë Saimiri.Të gjitha tentativat me gurë i shembeshin. Derisa një ditë i shkrepi ideja më origjinale; punimi i portretit të Adriano Çelentanos me CD. Për gati dy muaj iu rrëzuan shpesh dhe CD-të, derisa u arrit portreti i plotë.

Rreth 300 copë CD krijuan aurën muzikore të këngëtarit në përmasat 1m me 1m.

“Kur mendova CD-të m’u duk vërtetë se ideja goditi. Ishte më afër imazhit që kërkoja të zbuloja përmes moziakëve. Sigurisht ishte e vështirë”. Përmes rrezëllimit të dritave që thek në kryqe dritash ngjyrat, puna me CD-të afër syve të këngëtarit apo realizimi i siluetës, ishin ato pjesët e vështira.

Në Shqipëri ky është i pari moziak i ndërtuar me CD, ku Saimiri thotë se pas kësaj do të arrijë se s’bën qëllimin e tij, që të hapë një ekspozitë me këngëtarë të njohur, yje të muzikës botërore.

Strati ka mbaruar Akademinë e Arteve për pikturë dhe ka rreth 15 vite që merret me moziakë, duke qenë dhe pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme kombëtare. Natyra e tij kërkimtare e ka pikën e fortë në goditjen e idesë, ku në funksion të saj zgjedh dhe materialet për të lindur një tablo. I tërhequr disi mënjanë, Saimiri thotë se mozaiku modern në Shqipëri nuk lëvrohet, madje, është gati i pakonceptueshëm. Ndërkohë që heziton për të hapur një ekspozitë. Duke përfshirë dhe modestinë, Saimiri thotë se është pak e vështirë të bësh një ekspozitë vetëm me mozaikë, ndërsa thotë se kërkon vazhdimisht përsosje të teknikës, për të mos e parë nga ana komerciale. Realisht, biznesi i tij, janë punimet me mozaikë nëpër mjedise të ndryshme. Por kjo, thotë Saimiri, është si palestër ku i duhet të punojë shumë.

Violeta Murati

Strati: Portreti vetëm në duart e Çelentanos

Kur iu kurorëzua portreti i Çelentanos, Saimiri nuk mendonte që ajo të qëndronte pjesë e arkivit të tij. Qysh në krye pati menduar që ky portret të përfundonte “në shenjë mirënjohje”. Piktori tregon se portreti i ndërtuar prej CD-ve do të kishte vetëm një destinacion: të arrinte në duart e këngëtarit të famshëm italian. E mendon dhuratë. Për këtë ka nisur drejt Italisë një njoftim dhe imazh të këngëtarit për shoqatën “Klan Çelentano”. Po kështu po ndërhyn që vepra të ndjekë dhe rrugë institucionale, duke ia propozuar Institutit Italian të Kulturës për ta ndihmuar në dërgimin e sigurtë të portretit në duart e këngëtarit. Ndërsa pak ditë më parë, Saimiri thotë se ka pasur dhe një ofertë të rëndësishme. Një biznesmen shqiptar ka kërkuar ta blejë portretin për t’ia dhuruar më pas Çelentanos. Por as kjo nuk i ka hyrë në sy piktorit. “Nuk dua të përfitoj asnjë gjë nga ai portret, thjesht dua t’ia dhuroj këngëtarit në dorë”, thotë Saimiri.

Ndoc Gurashi

Piktori i gjakut

Piktori nga Shkodra, Ndoc Gurashi, nuk i ka rastësisht një barrë lëvdata nga pas. Ai ka hyrë në historinë e pikturës shqiptare pas një tradite familjare të njohur. Peizazhet, portretet, gjithçka shqiptare, mbështjell emocionet e piktorit Gurashi.

Familja Gurashi, një emër i njohur brez pas brezi ne Shkodër. Diçka më gjerë për këtë trung sa krenar aq dhe me vlera për këtë qytet?!

Familja ime e vendosur në një nga rrugët sa antike (rrugë e projektuar me fasada e dugaj (dyqane) me emrin “Dyqanet e reja”, nga i madhi Kolë Idromeno dhe sot është një monument kulture, që dëshmon vlerat e larta që ka pasur qytetaria shkodrane. Gjyshi im Ndoc S.Gurashi ka qenë rrobaqepës në ish-pazarin e famshëm të qytetit si mjeshtër në prodhimin e kostumeve kombëtare të qytetit e të rrethinave, punime me vlera të veçanta artistike. Babai, Kolë Gurashi ka qenë një artist aq dhe politik. Gjatë okupacionit turk (1900-1908) ka qenë komisar qyteti, dhe më pas po të njëjtin pozicion dhe në qeverinë e Zogut. Ka qenë një ndër këngëtarët thuajse më të njohur të këngës tradicionale shkodrane. Ai, madje reformoi këngën me motive turke, në origjinale vendase. Më vonë u mor dhe me pikturë.

Jemi ndalur në figurën tuaj. Na intereson fillimi, karriera, fëminia dhe hapat e ngjitjes në pikturë?!

Që fëmijë kisha dëshirë të vizatoja. Doja shumë Skënderbeun dhe natyrën e qetë. Sot në 80 vitet e jetës sime se di pse e kam si të vështirë të flas për veten. Në gjimnaz më ndihmoi padër Leon Kabashi (piktor), që tërhoqi pranë shumë talentë në kurset e tij, ku spikasin sidomos Tonin Arapi, Ndoc Mjeda, Zef Kuçi etj., etj.

Gjatë okupacionit fashist në vendin tonë, një oficer italian Lorenc Culura (i aktivizuar me zor në ushtri) jetoi 2 vjet në shtëpinë tonë. Ka qenë një profesor pikture i mrekullueshëm, që më ndihmoi me mësimet e tij tepër të vyera. Pata një “bum” me vlera për atë kohë. Lidha një miqësi dhe me piktorin e njohur Vladimir Jani.

Vladimiri, një emër i njohur për atë kohë. Sa ndikoi për ty dhe tek të tjerët ky personalitet i penelit?!

Ka qenë një njeri shumë i talentuar aq dhe i afruar për të gjithë ne piktorët. Me kursin e tij na shpjegonte e mësonte teknikat e vlerat e vërteta të penelit. Ai nxori shumë piktorë të njohur edhe sot si: Ferdinant Paci, Pjerin Sheldija, Smajl Lulani, Bahri Jubani, Franc Ashiku, T.Bazhdari, N.Verdica, K.Ljarja (skulptor).

Në ushtri mora spunto. Shumë riprodhime, portrete etj., më afirmuan në shkollën kombëtare. Në ekspozitën e parë lokale dola me punimet “Prej dritares sime“ e “Borë në Shkodër” (peizazhe). Me ekspozitën e 500-vjetorit të Skënderbeut bëra një portret të tijin, që u vlerësua shumë. Në ekspozitën e 35-vjetorit të ushtrisë fitova çmim të dytë në shkallë kombëtare me kompozimin “Një marshim i vështirë”. Një shkollë e madhe për mua ishte hapja e derës së studios nga kunati im, piktori Ferdinant Paci. Kam hapur 5 ekspozita personale, gjithsej 78 punime etj. Në Itali, Bari, më 1993-shin pata mjaft sukses në një ekspozitë që më sugjeruan miqtë e mi atje. Në Kosovë, po ashtu, pak kohë më vonë etj.

Ke bërë edhe mjaft punime restauruese në kisha, ku ka vlera të veçanta artistike e fetare...

Restaurimi i pikturës “Zonja e Shkodrës” në kishën e zonës te Kalaja, arqipeshkivi, kam restauruar “La madona del consiglio”, Zonjën me Krishtin në Lezhë, në arqipeshkvinë e Pultit e të Malësisë së Madhe etj. Sot numëroj 220 punime që nuk i shes, por i ruaj dhe ndonjë ua fal institucioneve apo nipërve të veçantë.

Sot je në pension.......

Mos e fol, e di, minimal, por jap mësim italisht dhe mësim pikture, kompensoj diçka. Koha sot, vështirësitë për shkrimtarët e artistët, ndoshta do të kalojnë. Sa do ta dëshiroja që brezat e ardhshëm të mos e kishin problem mbijetesën si ne?!... Besoj se po, në dashtë Zoti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›