E Diel, 1 Nëntor 2026

Llalla: Informaliteti e Hipotekat, problemi ynë

 

Informaliteti në ekonomi e pengon Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive të hetojë rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë administratës shtetërore. Kështu deklaroi kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla në konferencën e organizuar me shoqërinë civile, me temë “Së bashku në luftën kundër korrupsionit”, me rastin e ditës botërore kundër këtij fenomeni. Duke e përmendur informalitetin në regjistrimin e pasurive në regjistrat publikë, si një problem thelbësor për një hetim të thelluar administrativ ndaj interesave private të zyrtarëve, Llalla sugjeroi “shtimin e mëtejshëm të presionit pozitiv të organizmave joqeveritarë ndaj institucioneve publike, për të qenë më aktiv në luftën kundër korrupsionit”. Sipas tij, “problemi më i madh në aktivitetin tonë të përditshëm është informaliteti i ekonomisë shqiptare, mungesa e regjistrave të plotë mbi pasuritë e paluajtshme dhe tjetërsimi i pasurisë të krijuar në mënyrë abuzive te personat e tjerë”. Duke vlerësuar angazhimin e deritanishëm të aktorëve të shoqërisë civile në projekte antikorrupsion, drejtuesi i ILDKP u shpreh se “Inspektorati nxit të gjithë aktorët e organizmave joqeveritarë që të forcojnë më tej komunikimin dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë, pasi e vlerësojmë si një prej mekanizmave më të rëndësishëm për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e abuzivitetit me pushtetin publik nga ana e personave që ushtrojnë funksione në mbrojtje të këtij interesi”. Kreu i ILDK-së ka bërë prezent disa shifra, në të cilat jepen rastet e dyshuara për shmangie të deklarimit të sakta të pasurisë. “Janë 45 raste evidentuar gjatë Kontrollit Aritmetiko-Logjik të kryer nga ILDKP-ja në deklaratat e interesave private (të pasurisë), të dorëzuara nga zyrtarët në ILDKP. Janë 105 raste të tjera janë zgjidhur nga ILDKP, në bashkëpunim me institucionet e tjera publike; nga informacione të mbërritura në ILDKP nga publiku e media”, tha Llalla. Sipas tij, 4 zyrtarë janë gjobitur, pasi nuk kanë zgjidhur në mënyrën e duhur konfliktin e interesave (Sipas ligjit, gjobat për situatat e pazgjidhura me konflikt interesi variojnë nga 100.000 lekë deri në 400.000 lekë të reja. Ndërkohë, janë nën hetim administrativ nga ILDKP 45 raste të tjera, të dyshuara për konflikt interesi. “Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2009 janë kallëzuar penalisht 15 raste për fshehje të pasurisë, nga të cilët: 9 raste për fshehje të pasurisë/deklarim të rremë të pasurisë; 6 raste për “refuzim për deklarim”. Janë gjobitur 37 zyrtarë për “vonesa në deklarim” të interesave private të pasurisë”, theksoi Llalla. Ai e cilësoi takimin si një hap të rëndësishëm për krijimin e dualitetit ndërmjet institucioneve shtetërore e shoqërisë civile, me qëllim realizimin e transparencës së plotë të aktivitetit publik të administratës.

hetimi i pasurise

Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2009 janë: kallëzuar penalisht 15 raste për fshehje të pasurisë, nga të cilët:

9 raste për fshehje të pasurisë/deklarim të rremë të pasurisë

6 raste për “refuzim për deklarim”

Janë gjobitur 37 zyrtarë për “vonesa në deklarim” të interesave private (pasurisë)

45 raste janë evidentuar gjatë Kontrollit Aritmetiko-Logjik të kryer nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në deklaratat e interesave private (të pasurisë), të dorëzuara nga zyrtarët në ILDKP

105 raste të tjera janë zgjidhur nga ILDKP, në bashkëpunim me institucionet e tjera publike; nga informacione të mbërritura në ILDKP nga publiku e media

4 raste (zyrtarë) janë gjobitur, pasi nuk kanë zgjidhur në mënyrën e duhur konfliktin e interesave. ILDKP i ka gjobitur deri në 300.000 lekë të reja

Janë nën hetim administrativ nga ILDKP 45 raste të tjera, të dyshuara për konflikt interesi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›