E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmangia e Topit, kyçi i kërkesës së PS për kufirin

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste rrëzoi pretendimet e Qeverisë dhe Shtabit të Përgjithshëm për marrëveshjen e detit me Greqinë. Deputetët socialistë Sajmir Tahiri dhe Damian Gjiknuri bashkë me kolonelin në lirim, Myslym Pasha i paraqitën Gjykatës Kushtetues argumentet kushtetuese që hedhin poshtë marrëveshjen, e cila sipas tyre vjen në kundërshtim të plotë me frymën e Kushtetutës. Pika më e fortë e argumentit të socialistëve, e cila e zhvesh marrëveshjen nga fuqia kushtetuese ishte mungesa e plotfuqisë së Presidentit të Republikës, që duhet të japë në rastet e lidhjes së marrëveshjeve të kufijve mes dy vendeve. Deputeti Tahiri, që në nisje të seancës tha se në negocimin e kësaj marrëveshje nuk është dhënë plotfuqia e presidentit, përmes së cilës i jepet fuqi grupit negociator për të vazhduar punën. Marrëveshja sipas Tahirit, ishte një marrëveshje mes shtetesh dhe jo mes ministrive apo qeverisë, prandaj kërkohej plotfuqia e kreut të shtetit. “Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve e konsideron mungesën e autorizimit dhe kompetencës për të dhënë pëlqimin për marrëveshjet ndërkombëtare ose ushtrimin ultra vires të kësaj kompetence, si një mundësi për shpalljen e nulitetit të marrëveshjes ndërkombëtare të nënshkruar ndërmjet shteteve pjesëmarrëse”, u shpreh Tahiri. Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi iu përgjigj këtij pretendimi sipas së cilës një gjë e tillë nuk nevojitej për shkak të marrëdhënieve të  fqinjësie shumë të mira. Deputeti socialist akuzoi Qeverinë shqiptare se në negocimin dhe hartimin e marrëveshjes së detit me Greqinë në kundërshtim me Kushtetutën nuk ka bashkëpunuar me asnjë institucion tjetër. “Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi ka parashikuar kooperimin (bashkëpunimin) institucional ndërmjet disa institucioneve kryesore kushtetuese të shtetit, si procedurë themelore për hyrjen në fuqi të dispozitave që përmban vetë marrëveshja”, tha Tahiri. Ai hodhi poshtë pretendimin e Qeverisë se nuk ka pasur kufi konvencionale mes Shqipërisë dhe Greqisë që njihej dhe respektohej nga të dyja palët. Për këtë ai solli rastin e disa protokolleve të nënshkruar mes dy vendeve. Shembulli më i freskët i këtij përcaktimi ishte Protokolli i vitit 1997 “për mbrojtjen efikase të kufirit bregdetar midis dy vendeve”. Sipas këtij protokolli, palët nënshkruese jo vetëm e kanë njohur dhe e kanë respektuar vijën kufitare detare, por mbi të gjitha pala greke është angazhuar edhe për ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Deputetët socialistë që mbronin në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e PS-së, parashtruan disa argumente kushtetuese që mbështesin kërkesën e tyre. Deputeti tjetër socialist Damian Gjiknuri i kërkoi qeverisë të paraqesë hartën, e cila është përfunduar pas nënshkrimit të marrëveshjes. Asnjë marrëveshje për kufirin mes dy vendeve nuk shoqërohet pa harta siç po bëhet në marrëveshjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Gjiknuri.

Argumentet e PS në Gjykatë

Ku shkelet Kushtetuta

Nuk është marrë plotfuqia e presidentit për të negociuar një marrëveshje të tillë. Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi njeh autoritetin dhe kompetencën e Presidentit të Republikës dhe të Këshillit të Ministrave për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare

Marrëveshja u negociua dhe hartua mbi bazën e një Urdhri të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Nr. 135, Dt. 23.08.2007, “Për Ngritjen e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Përcaktimin e Shelfit Kontinental me Vendet Fqinje”

Mungesa e kooperimit institucional si procedurë nëpërmjet të cilës garantohet rendi juridik, shteti i së drejtës, e nëpërmjet tyre, edhe interesat kombëtare të mbrojtura nëpërmjet zbatimit të dispozitave të Kushtetutës.

Rezulton se hartimi dhe negocimi i tekstit të marrëveshjes, pa asnjë arsye bindëse, është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të plotë të transparencës.

Marrëveshja nuk është shoqëruar me harta. Në marrëveshjen Itali-Greqi në vitin 1977 ka pasur harta

Parimi i baraslargimit nuk është zbatuar në marrëveshjet e tjera si ajo e Italisë me Greqinë për kufijtë detarë

Ka probleme në përcaktimin e vijës bazë

Nuk është trajtuar si duhet gjiri i Sarandës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›