Lleshi: U dhashë ndihmën e parë të aksidentuarve
Dedë Lleshi, që banon fare pranë vendit ku ndodhi ngjarja, ka qenë personi i parë që ka zbritur tek autobusi i aksidentuar. Ai tregon se sapo kishte filluar të binte shi i imët dhe se moti nuk ishte aq i keq, prandaj beson se ka pasur defekt teknik. Dëshmitari rrëfen se sapo ka mësuar për ngjarjen, menjëherë ka dalë në ndihmë të tyre, duke udhëtuar i pari me helikopter për në kryeqytet.
Si u vutë në dijeni për ngjarjen?
Kam qenë në banesën time. Dëgjuam zhurma dhe makina që lëviznin me shpejtësi. Dola pas shtatë minutash, kur kam parë se çfarë kishte ndodhur. Kam shkuar t’i ndihmoj, por ishin gjithë gjak, nuk afroheshe dot, ishte një pamje tmerruese dhe nuk e kuptoje kush ishte gjallë dhe kush kishte vdekur. Pasi kanë ardhur helikopterët, kam sjellë dy të parët në Tiranë, një fëmijë dhe një burrë. Kishin rënë shumë poshtë.
Sa ishte lartësia?
Shumë e madhe, nuk di si ta llogaris. Ndoshta në vijë ajrore te 50 metra, por në rrëshqitje ishte tek 130 metra. Ajo është një greminë që të çon pranë lumit.
Si ishte koha?
E vrenjtur. Po binte një shi i imët. Dëgjova që thoshin se mund të ketë qenë për shkak të kohës, por nuk mendoj se ka ndodhur për këtë. Mendoj se mund të ketë qenë defekt teknik. Nuk di ç’të them më tepër. Kam parë tmerr dhe ende nuk po e marr veten.
#