E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballafaqimi brenda të majtëve zbret në Jug

Zgjedhjet brenda PS-së përvijojnë hapësirë veprimi për koalicionin qeverisës

Ballafaqimi politik dhe me sa duket paraelektoral mes PS dhe LSI ka zbritur edhe në rrethe. Sekretari politik i LSI-së, Besian Pesha, ka zhvilluar ditët e fundit një tur takimesh në Tepelenë, Përmet dhe Gjirokastër, në fokus të të cilit ka qenë edhe puna e të zgjedhurve socialistë, ndaj të cilëve nuk kanë munguar sulmet. Spikat në këtë kuadër akuza ndaj kryebashkiakut socialist të Gjirokastrës, Flamur Bime, që sipas të gjitha gjasave do të kërkojë në këto zgjedhje mandatin e tij të tretë në krye të kësaj bashkie. “Gjatë takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët, analizave dhe përgatitjeve tona për një projekt të ri zhvillimi për qytetin e Gjirokastrës, na rezulton se ky qytet vuan sepse nuk qeveriset mirë nga kryebashkiaku Bime, i cili ka uzurpuar jo vetëm bashkinë, por edhe Partinë Socialiste në Qarkun e Gjirokastrës”, theksoi Besian Pesha dje, në një konferencë për shtyp. Sipas zotit Pesha, dëmi ekonomik i shkaktuar nga keqadministrimi dhe qeverisja abuzive e socialistëve dhe personalisht nga zoti Bime, llogaritet të jetë 3 mijë euro për frymë, që sipas tij rrjedh nga shpërdorimi i fondeve publike etj. Duke folur për bashkëpunimin dhe aleancën qeverisëse me PD-në, Besian Pesha u shpreh se LSI ka treguar përgjegjësi dhe përkushtim ndaj kësaj aleance, duke dhënë kështu mesazhin se kjo aleancë do të shtrihet edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore. Sulmet e drejtpërdrejta ndaj kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, si dhe deklarimet për sukses në qeverisjen e përbashkët PD-LSI, janë mesazhe të qarta se këto dy forca do të kenë një strategji të përbashkët gjatë kësaj fushate elektorale. Por ky angazhim përkon edhe me situatën e ndezur në PS, që është përfshirë nga zgjedhjet e strukturave të veta lokale, një nga të cilat është edhe Gjirokastra. Pavarësisht se brenda strukturave vendore të PS-së ka zëra dhe grupime që kundërshtojnë rikandidimin e Bimes për një mandat të tretë, deri në këto momente, nga gjiri i socialistëve lokalë nuk është promovuar asnjë kandidat tjetër për t’u përballur me ambiciet e Bimes për kreun e kësaj bashkie. Situata e marrëdhënieve brenda gjirit të socialistëve gjirokastritë është kaotike edhe për faktin se për shkak të mosmarrëveshjeve mes grupeve rivale, procesi i zgjedhjes së organeve drejtuese u ndërpre dhe do të rinisë në mesin e muajit shtator. Kandidatura e kryetarit aktual të organizatës së PS-së për qytetin, Florian Hysi, dhe ajo e kryetarit aktual, Flamur Bime, mbeten kandidaturat më potente për pozicionet kryesore, Hysi për kryetar dege në strukturat e riorganizuara në bazë rrethi dhe Bime për rikandidimin në postin e kryebashkiakut, që e ka mbajtur për dy mandate të njëpasnjëshme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›