Skela asist, Kotbus 1 pikë me Leverkusen
Ervin Skela ka qenë një prej protagonistëve kryesorë në barazimin 1-1 që Energie Kotbus arriti në fushën e Bajer Leverkusen. Mesfushori shqiptar nuk lejoi që skuadra e tij ta mbyllte vitin 2008 me humbje dhe në sekondat e fundit të lojës dha asistin në golin e kinezit Shao. Me këtë rezultat përballë Leverkusen, një prej kandidateve për titull në Bundesligë, Kotbus, fiton një pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë dhe shkon drejt pauzës dimërore në zonën "play out" (vendi i 16-të në klasifikim) me 13 pikë, dy më shumë se Bokum dhe Borusia Mynshengladbah që mbyllin tabelën. Në minutën e parë të kohës shtesë, Skela ekzekuton një goditje këndi që gjen devijimin e Shaos, i cili ishte futur në fushë vetëm 6 minuta më parë. Ky barazim dhe loja e mirë përballë një skuadre më të fortë i forcon besimin skuadrës se i ka të gjitha mjetet për të qëndruar në elitë. Protagonist në Gjermani është bërë edhe sulmuesi me pasaportë zvicerane, Albert Bunjaku. Ai shënoi golin e parë në fitoren 2-0 që Rot Vajs Erfurt arriti në fushën e Vupertalit. Për 25-vjeçarin kjo është rrjeta e tretë sezonale në Ligën 3.