E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana e Kolës di të fitojë

Tirana e Agustin Kolës konfirmon se di të fitojë. Përballë Apolonisë, bardheblutë treguan shenja jete dhe pavarësisht kontestimit të tifozëve, ndryshimi i stolit mund t‘i ketë shërbyer skuadrës. Është e vërtetë që kryeqytetasit fituan 3-0 përballë Apolonisë që lufton për mbijetesë, por triumfi në debutim do të thotë shumë për ish-sulmuesin legjendar të skuadrës. Tri pikët marrin edhe më shumë vlera kur në lojë hyjnë edhe shifrat: me Blazhe Slishkoviç, Tirana kishte fituar vetëm një herë në shtatë ndeshjet e fundit. Është absolutisht e pavend të thuash se në harkun e 24 orëve trajneri Kola ndryshoi sjelljen e skuadrës në fushë, por fitorja me fierakët ka nxjerrë edhe elementë të tjerë shumë interesantë. Bardheblutë regjistruan fitoren e parë 3-0 në këtë sezon. Pas 10 javësh ata arrijnë të shënojnë përsëri tri gola në portën kundërshtare (hera e parë dhe e fundit kishte ndodhur në javën e 5-të në fitoren 3-1 me Flamurtarin) dhe në skenë del "bomberi" që mungonte. Në fakt, autor i dy prej golave ishte Daniel Xhafa, i cili deri më këto momente qëndroi në hije dhe nuk arriti të plotësonte mungesën e Migen Memellit. Për të gjitha këto arsye, debutimi i Agustin Kolës është më tepër sesa i suksesshëm. Numrat nuk gënjejnë asnjëherë...
Por, nëse një kryeqytetase ngrihet, një tjetër (në rastin konkret Partizani) duket gjithmonë e më shumë e pashpresë. Të kuqtë e Shpëtim Duros barazuan pa gola me Teutën dhe vazhdojnë të mbajnë vendin e fundit. Është e vërtetë që në dy javët e fundit "demat" i morën 2 pikë Tiranës dhe Teutës kryesuese, por fakti që skuadra nuk fiton prej 14 javësh rëndon pamasë. Kthesa e shumëpërfolur po vonon dhe vendi i fundit është një realitet nga i cili Partizani nuk mund të shkëputet as me premtimet e shumta të presidentit Albert Xhani për rindërtimin e skuadrës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›