Ruçi: Nuk do të ketë ndryshime në Qeveri
25/01/2005 Analiza vjetore e qeverisë "Nano" i ka shuar të gjitha pretendimet e aleatëve të koalicionit për integrim dhe të të gjithë atyre forcave politike që kërkojnë ndryshimin e emrave në ekzekutiv. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, fill pas përfundimit të kësaj analize, e ka cilësuar si të suksesshme qeverisjen e deritanishme të mazhorancës, duke theksuar se, "nuk është e domosdoshme ndryshimi i kabinetit qeveritar". Të gjitha arritjet që rezultuan nga puna njëvjeçare e 18 ministrive mjaftojnë për numrin dy të shumicës socialiste që të vazhdojë qeverisjen deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Tashmë sfida për këtë parti ngelet fitimi i këtyre zgjedhjeve paralel me këtë mbarëvajtja dhe zhvillimi i tyre në një klimë demokratike dhe transparente. Duke përforcuar zërin e kryetarit të partisë së tij, Ruçi thekson se "konkluzionet janë arritur si nga koha dhe nga objektivat, të cilët ishin përcaktuara nga programet e mazhorancës qeverisëse". Edhe pse nga kreu i PS-së, Nano, në takimin e dhjetorit me aleatët e "Koalicionit për Integrim" është premtuar përfshirje më e gjerë në qeverisje, analiza e përmbledhjes e ditës së djeshme i ka shuar të gjitha shpresat e partive të vogla të koalicionit për të qeverisur gjatë këtyre muajve deri në zgjedhje. Dhe pse shumë i vonuar, vendimi i Kryeministrit për të mos ndryshuar kabinetin sipas kërkesave të aleatëve të tij pritet të ketë dhe reagimin e këtyre të fundit. Bashkëpunimi në zgjedhjet e përgjithshme do të jetë oferta që PS-ja i drejton partive si PAA, PSD, PBDNJ, PDS dhe PAD. Ndërsa këta të fundit janë duke u përgatitur të konkurrojnë më vete.