E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Tirana shembulli më i mirë për pushtetin vendor

25/01/2005  Decentralizimi i Pushtetit Vendor dhe efektet që sjell ky fenomen kanë qenë pjesë e analizës vjetore të qeverisë. Formula e shpërndarjes së granteve për bashkitë dhe komunat do të rishikohet për të eliminuar pabarazitë e shpenzimeve. Kjo, sipas Nanos, "do të shoqërohet me përfundimin e procesit të inventarizimit dhe transferimit të pronave dhe me transferimin e plotë të funksioneve të shërbimit të kompanive utilitare, duke i dhënë një zgjidhje optimale çështjes së detyrimeve të mbartura të tyre". Nano ka kërkuar që të ndalen praktikat e deritanishme, kur paratë mblidhen nga agjentë tatimorë të strukturave të pushtetit qendror dhe derdhen në arkat e komunave dhe bashkive për shpenzime. Nga ana tjetër, Kryeministri Fatos Nano e ka cilësuar si shembull të decentralizimit Bashkinë e Tiranës, e cila " ka siguruar të ardhurat nga taksat dhe tarifat në vitin 2004, që rezultuan rreth 6 herë më të larta se në vitin 2002". Duke përgëzuar punën e kryebashkiakut Edi Rama, Kryeministri ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Pushtetit Vendor dhe Qendror. Duke e cilësuar si një sfidë, Nano tha: "Qeveria do të vazhdojë të financojë projekte të njësive vendore në dobi të rritjes së mirëqenies së komunitetit, por zgjerimi i financimeve të tilla kërkon mobilizimin e të gjitha burimeve, deri në nivel komune e bashkie. Aq e rëndësishme është kjo sa, nëse do të ishte mbledhur e gjithë taksa mbi pasurinë e patundshme për dy vjet, do të ishin inkasuar dhe investuar në dobi të komuniteteve lokale rreth 50 milionë dollarë më shumë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›