Dokle: E duam Shqipërinë me modelin e Tiranës
Një prej themeluesve të PS-së, Namik Dokle, ka mbështetur dje kryetarin e PS-së, Rama
TIRANË- Në krah të kryesocialistit, Edi Rama, një prej themeluesve të Partisë Socialiste, Namik Dokle, ka deklaruar dje se Shqipëria duhet të jetë me modelin e Tiranës, dhe jo me atë të Gërdecit.
"Duhet ta shmangin Shqipërinë nga rruga e këtyre skandaleve, që nuk e afrojnë me Evropën, por e çojnë në Gërdec. Ne e duam Shqipërinë me modelin e Tiranës dhe jo me modelin e Gërdecit",- tha Dokle në 18-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste.
Dokle ka mbështetur synimin e Edi Ramës për një PS ndryshe dhe një Shqipëri ndryshe. "Sot është datëlindja e PS-së, por sot mund ta kenë datëlindjen shumë djem dhe vajza dhe sot ata mbushin moshën për të votuar. Ju përshëndes të gjithëve si më plaku midis të rinjve dhe si më i riu midis pleqve.
Më vjen mirë që edhe unë, ashtu si ju, jam në krah të Edi Ramës, pasi Rama erdhi në PS në një moment të vështirë të saj, në një moment kur ishte e traumatizuar nga humbja e 2005-ës, por Edi Rama erdhi në PS me vendosmërinë për të ndryshuar veten, për të ndryshuar PS-në dhe për të ndryshuar Shqipërinë", - tha Dokle.
Ai theksoi se, Rama erdhi në PS me vendosmërinë për t'i dhënë moral politikës, që politika t'u largohet goglave të Dushkut. "Rama erdhi në PS me vendosmërinë për një program të ri dhe për një ekip të ri, që do t'i japë Shqipërisë ëndrrën e së nesërmes, një ëndërr që realizohet dhe jo një ëndërr që del vetëm në kutinë e TV-së.
Sot PS-ja mbush 18 vjeçe dhe në kuptimin e Kushtetutës, sot PS-ja voton për ndryshimin e Shqipërisë dhe ne duhet ta realizojmë këtë ndryshim, sepse duhet të luftojmë vjedhjen, varfërinë, papunësinë, skandalet, që e çojnë Shqipërinë në Gërdec",- tha Dokle.