18-vjetori i PS-së, Rama: Sot, PS ofron skuadrën fituese
Në 18-vjetorin e PS-së nuk ishin të pranishëm ish-themelues, si Servet Pëllumbi apo Dritëro Agolli
TIRANË- Partia Socialiste ka mbushur dje 18 vjeç. Me këtë rast socialistët, ashtu si 18 vjet më parë kur vendosën të krijonin PS-në për të ndryshuar historinë, edhe dje, pa dallim moshe dhe brezash janë mbledhur së bashku në amfiteatrin tek Kodrat e Liqenit, për të festuar këtë ditë të veçantë për ta, por edhe për të shprehur edhe një herë angazhimin e tyre për të vazhduar misionin e transformimit të Shqipërisë në një vend të denjë për familjen evropiane.
Festa
Festa ka nisur që herët në Kodrat e Liqenit, ku flamujt kombëtarë dhe ata partiakë, të vendosur në rrugët që të çonin tek amfiteatri, muzika e lartë, si dhe tendat, që ofronin shërbime të ndryshme ambulatore, kishin krijuar një atmosferë inkandeshente, për një ditë të tillë, ku natyrisht ishte zgjedhur që më shumë të gëzohej sesa të bëhej politikë.
Takimi festiv është çelur me një koncert, ku këngëtarët të rinj shqiptarë kanë performuar disa këngë nga repertori tyre, i cili në pjesën më të madhe të tij është ndjekur edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
E, ashtu si edhe në gjithë takimet elektorale të këtyre ditëve, edhe atij të djeshmit nuk mund t'i mungonte grupi "West Side Family", bashkë me të cilët është ngjitur në skenë dhe vetë kryesocialisti Edi Rama, natyrisht, për të kënduar së bashku këngën himn të fushatës elektorale të socialistëve, "Çohu".
Rama
Por, pjesa festive nuk ka mbaruar me kaq, pasi edhe vetë kreu i selisë rozë, në gjithë komunikimin e tij me qytetarët, që kishin vendosur të bëheshin pjesë e këtij momenti, në këtë ditë ka menduar më shumë për spektaklin sesa për të bërë politikë, duke shkëmbyer batuta dhe bërë humor, si me të ftuarit e tij në skenë, ashtu edhe me qytetarët dhe kundërshtarët politikë.
E, natyrisht, në këtë ditë të veçantë, Rama është kujdesur që falënderimin e tij t'ua drejtojë të gjithë brezave, që kanë bërë historinë dhe që kontribuojnë ende në modernizimin e kësaj force.
Në mungesë të figurave themeluese, si Dritëro Agolli, Servet Pellumbi apo edhe ish-kryetari, Fatos Nano, brezin e vjetër dhe të aktorëve kryesorë të themelimit të PS-së e ka përfaqësuar në skenë Namik Dokle, brezin më pak të vjetër, Blendi Klosi, gratë Vasilika Hysi, të rinjtë Saimir Tahiri.
Nuk kanë munguar në skenë edhe socialistë të thjeshtë, të cilët, siç theksoi edhe vetë Rama në fjalën e tij, pak njihen nga publiku, por që kanë dhënë një kontribut të madh në PS me praninë e tyre, siç ishte punonjësja e dezhurnit Drita, apo edhe ish-bodigardi i paraardhësit të tij, Tori.
Megjithatë, këtë ambient festiv, Rama dhe të ftuarit nuk kanë munguar ta shfrytëzojnë edhe për të bërë fushatë, dhe për të ftuar shqiptarët që të votojnë alternativën e përfaqësuar nga PS-ja, për të garantuar të ardhmen e zhvilluar të vendit.
"Kjo është një festë e veçantë, është një ditë historike, sepse është një datëlindje, dhe nuk janë pak, por janë 18 vjet të një historie që është e lidhur drejtpërdrejt me historinë e vendit tonë.
Ajo që është e rëndësishme është se PS-ja ka në ADN-në e vet aftësinë e vetëtransformimit, një aftësi që është karakteristike për partitë e mëdha, që kanë fuqinë të modernizojnë vendin e tyre, duke modernizuar veten e tyre", - tha Rama në fjalën e tij.
Gjithashtu, ai ka theksuar se PS-ja është në gjendje t'u ofrojë sot shqiptarëve ndryshimin e kërkuar, ndryshim, i cili, sipas tij, përfaqësohet nga ekipet e kandidatëve që kjo forcë ka vënë në dispozicion të qytetarëve për të votuar.
"Jam krenar që PS-ja sot është në gjendje t'i ofrojë jo vetëm Tiranës dhe Qarkut të Tiranës, por edhe të gjithë qarqeve të Shqipërisë, skuadra që janë pasqyra e shoqërisë, skuadra që janë shprehje e militantizmit të ndershëm partiak, janë shprehje e angazhimit të spikatur shoqëror, janë shprehje e sipërmarrjes së lirë shqiptare, janë shprehje e përkatësisë ndaj komunitetit dhe përbëjnë ato ekipe deputetësh që nesër do të përbëjnë një grup parlamentar, që do të qeverisë Shqipërinë për katër vjet", - tha më tej Rama.
Gjithashtu, ai është marrë edhe me kundërshtarin e tij, Sali Berisha, të cilit i ka thënë se 28 qershori do ta ulë atë në karrigen e opozitarit.
"Sali Berisha, e përsëris vazhdimisht çdo ditë, që më do mua të jem në krye të listës së deputetëve. Në fakt, një karrige deputeti pas 28 qershorit, do t'i duhet atij të ulet, sepse mua mandati ma kërkon të rri në këmbë, në një detyrë tjetër",- shtoi më tej Rama.