Rama në 18 vjetorin e PS-së: Partia ka në ADN, aftësinë e vetëtransformimit
TIRANË- Partia Socialiste festoi ditëlindjen e 18-të. Një festë e organizuar në "Amfiteatrin" pranë Liqenit Artificial të Tiranës mblodhi qindra simpatizantë të socialistëve. Lideri socialist, Edi Rama, duke përshëndetur anëtarët dhe simpatizantët e shumtë të mbledhur te "Amfiteatri" e quajti këtë një ditë historike.
Në fjalën e tij, Rama pohoi se shumë të rinj kanë ardhur më vonë në PS-së, por shtoi se "gjëja më e rëndësishme është se PS-ja ka në ADN-në e vet aftësinë e vetëtransformimit, një aftësi që është karakteristike për partitë e mëdha që kanë mundësi të modernizojnë vendin, duke modernizuar veten e tyre".
Ai ftoi një prej themeluesve të PS-së, Namik Doklen, i cili sipas tij, është i lidhur me historinë e PS-së që në fillimet e saj dhe sot është në listën e deputetëve në Tiranë.
Duke u ndalur tek zgjedhjet e 28 qershorit, Rama deklaroi se këtë garë do ta fitojnë, "jo vetëm për vete, por dhe për të gjithë ata banorë që kanë mbështetur PS-në për 18 vjet me radhë dhe që kthejnë sytë nga politika për të parë e dëgjuar atë që për 18 vjet e kërkojnë dhe e duan".