E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Detyrat për të udhëtuar pa viza

Kreu i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, bëri dje të qartë në një konferencë për shtyp se liberalizimi i vizave do të varet drejtpërdrejt nga dialogu politik mes palëve në vend. Kjo, e përkthyer në rezultat, për të udhëtuar pa viza, do të thotë, që krahas bërjes së kartave të identitetit dhe pasaportave, duhet që palët politike të realizojnë reformën në drejtësi, si dhe zgjedhje tërësish të lira dhe të ndershme në vitin 2009. Lohani tha se ndërtimi i një dokumentacioni të sigurt, si kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, “nuk është i plotë për të hequr kërkesat për viza”. Ndonëse i paqartë në lidhje me një afat konkret se kur shqiptarët do të udhëtojnë pa viza, Lohani la të nënkuptuar se liberalizimi i vizave do të varet më shumë nga progresi politik sesa nga ai teknik, që duket se Shqipëria po i plotëson me sukses. Në këtë pikë, hyn në lojë edhe opozita shqiptare, në mënyrë që liberalizimi i vizave të bëhet konkret në vitin 2009. I pyetur nga “standard”, në rast se Shqipërisë do t’i liberalizohen vizat nëse plotësohen kushtet teknike, si dhe në rast se procesi i liberalizimi të vizave është i lidhur me procesin e zgjedhjeve, Lohani u përgjigj: “Po ta marrësh vetëm në atë aspekt, që të kesh pra dokument të sigurta, është e domosdoshme, por në vetvete, nuk është e plotë për të hequr kërkesat për viza”. I pyetur më tej se çfarë duhet të plotësojë më tej Shqipëria, ambasadori Lohan përmendi një plan pune, “një udhërrëfyes, i cili flet për dialogun e liberalizimit të vizave dhe siguria e dokumenteve të identifikimit është njëri nga kapitujt që përmenda në këtë udhërrëfyes, por nuk është i vetmi”, duke lënë të nënkuptuar kriteret politike që mund të plotësohen nga konsensusi i gjerë politik. “Shqipëria ka bërë progrese të cilat janë të rëndësishme për liberalizimin e vizave, si p.sh. kontrolli i kufijve apo proceset që çojnë në sjelljen e dokumenteve të sigurta të identifikimit. Qeveria është angazhuar që të punojë me një plan për sa i përket liberalizimit të vizave, por ka disa standarde të tjera në lidhje me liberalizimin e vizave, për sa i përket këtij plani. Nuk mendoj se të përjashtohet fakti që Shqipëria mund të plotësojë, mund t’i arrijë kërkesat në vitin 2009 dhe meqenëse jam optimist, atëherë unë mund të them që gota është gjysmë e mbushur”, - përfundoi Lohan.

Progres-raporti

Dokumenti që shpreh punën 1-vjeçare të qeverisë, vendimmarrjes politike si dhe realizimin e reformave u prezantua dje nga Lohan përpara mediave. Ai tha se “raporti është i qartë dhe flet me zë të lartë kur bëhet fjalë për arritjet, për ritmin e arritjeve, për mungesën e këtyre arritjeve, si dhe për sfidat të cilat kemi përpara”. Ambasadori Helmut Lohan tha më tej se vendi ka bërë arritje konkrete në luftën antikorrupsion, në rritjen ekonomike, kontrollin e kufijve, luftën ndaj krimit të organizuar etj. I pyetur më tej se a do të shpallet Shqipëria vend kandidat për të hyrë në BE para zgjedhjeve parlamentare, Lohan nuk dha asnjë afat konkret. “Komisioni Evropian, në një raport të tij i cili hedh sytë prapa në rast, nuk mund të sugjerojë në rast se Shqipëria duhet apo nuk duhet të aplikojë për statusin e vendit kandidat”, - tha Lohan.

Gërdeci dhe antikorrupsioni

Ambasadori përmendi edhe pikat e nxeha me të cilat vendi po përballet sot. Ai tha se lufta ndaj korrupsionit ka njohur një rritje, duke shënuar progres në këtë pikë. “Në raportin e kaluar, ne shprehnim se korrupsioni në Shqipëri është problem serioz. Në këtë raport, korrupsioni përkufizohet si pjesërisht shqetësues”, - tha Lohan. Një tjetër pikë që ai përmendi ishte edhe Gërdeci, ku Lohan kërkoi përfundimin e hetimeve për këtë çështje nga ana e prokurorëve si dhe mosndërhyrje nga politika në këtë çështje”.

Rezultatet kyçe të raportit të progresit për Shqipërinë

Kriteret politike

Shqipëria ka vazhduar të përparojë në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Reformat kyçe në sistemin gjyqësor dhe elektoral kanë ecur përpara, bazuar në

konsensus ndërpartiak. Përpjekjet për të fuqizuar shtetin ligjor janë intensifikuar.

Shqipëria ka vazhduar të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira me shtetet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së. Megjithatë, kultura e dialogut mes partive politike dhe pavarësia e institucioneve shtetërore kërkon konsolidim të mëtejshëm për të lejuar funksionimin efikas të sistemit politik. Pavarësisht nga përmirësimi në perceptimin publik, korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz, sikurse edhe krimi i organizuar. Vëmendje e veçantë nevojitet për vazhdimin e reformës së gjyqësorit.

Kriteret ekonomike

Ekonomia shqiptare ka ecur përpara drejt një ekonomie tregu funksionale.

Rritja e shpejtë ekonomike e Shqipërisë u shoqërua nga një rritje të deficitit tregtar, i cili po dobëson pozicionin e jashtëm financiar të vendit. Shqipëria ka pasur sukses në mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Politika fiskale u dobësua, ndërkohë që vendi filloi të investonte më shumë në infrastrukturë. Kjo u shoqërua me progres në privatizim dhe përmirësim të klimës së biznesit. Ristrukturimi dhe privatizimi i sektorit energjitik nuk u arrit dhe furnizimet e pasigurta me energji vazhdojnë të pengojnë në mënyrë të theksuar zhvillimin ekonomik. Reforma të tjera të konsiderueshme duhet të vazhdojnë për ta mundësuar ekonominë të përballojë në një periudhë afatgjatë presionet konkurruese dhe forcat e tregut të Bashkimit.

Standardet evropiane

Shqipëria ka përparuar në përafrimin e legjislacionit, politikave dhe kapacitetit të saj me standardet evropiane. Tani ka nevojë të përforcojë përpjekjet e saj në zbatimin e këtyre ligjeve dhe politikave. Përparimi i arritur gjatë viteve të mëparshme në fusha si doganat, konkurrenca, lëvizja e lirë e mallrave dhe politika audiovizuale, është ruajtur.

Megjithatë, në fusha të tjera si energjia, transporti, prokurimi publik, kontrollet

veterinare/fitosanitare dhe të drejtat e pronës intelektuale, përparimi ka mbetur i

kufizuar. Rezultate të përmirësuara nevojiten gjithashtu në luftën kundër krimit të

organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Reforma në drejtësi, Lohan: EURALIUS është marrë parasysh

Gjatë konferencës së djeshme, ambasadori Helmut Lohan u pyet në lidhje edhe me asistencën e EURALIUS-it për sa i përket hartimit të drafteve ligjore për reformën në drejtësi. Në kundërshtim me mjaft gjykime të tjera, Lohani tha se “mendimet e EURALIUS-it janë marrë parasysh si nga ana e hartuesve të drafteve ligjore, ashtu edhe nga ana e ligjvënësve”. Ai shtoi më tej se draftet ligjore të përgatitura për reformën në drejtësi duhet të konsultohen sa më shumë me grupet e interesit. “Unë do të shpresoja që gjuha jonë të mos jetë diplomatike, por jam i bindur se raporti është i qartë dhe flet me zë të lartë kur bëhet fjalë për arritjet, për ritmin e arritjeve, për mungesën e këtyre arritjeve, si dhe për sfidat të cilat kemi përpara”, - u shpreh Lohan.

Oli Ren: Shqipëria po bën progres

Komisioneri i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Oli Ren, tha dje gjatë një konference të posaçme për shtyp se “thosha që për rastin e Shqipërisë gota është po aq gjysmë e mbushur sa është gjysmë bosh dhe Shqipëria po bën progres dhe ne nuk i nënvlerësojmë këto interesa madhore”. Ai tha se progresi i Shqipërisë është i dukshëm. “Procesi i ratifikimit po shkon drejt përfundimit dhe zbatimi i saj po avancon gradualisht në të gjithë sektorët. Bazuar në konsensusin ndërpartiak për çështjet e integrimit në BE, reformat politike kyçe po avancojnë, duke përfshirë këtu edhe reformën zgjedhore. Një nga sfidat kyçe që Shqipëria ka përpara, janë zgjedhjet e vitit 2009. Gjithashtu, ajo duhet të forcojë më tej shtetin ligjor dhe kapacitetin administrativ”, - u shpreh Ren. I pyetur se cilat janë ndryshimet në këtë raport krahasuar me raportin e vitit të kaluar për Shqipërinë dhe cilat janë fushat kryesore në të cilat ka pasur përmirësime, ai ka dhënë vlerësime për reformat e arritura vitin e fundit. “Siç e thashë dhe më parë, Shqipëria ka bërë progres në sektorët kyçë, siç është reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, ndërsa përpjekjet për konsolidimin e shtetit ligjor janë intensifikuar. Këto janë bazuar në konsensusin politik mes partive, i cili e ka lehtësuar shumë progresin në këtë fushë”, - u shpreh ai. Ai ka theksuar se “për më tepër Shqipëria ka vijuar të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Ndërmjetme”. Ai vlerësoi politikën e jashtme shqiptare, duke thënë se “Shqipëria ka vazhduar të luajë rol konstruktiv në stabilitetin e rajonit dhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve fqinje në Ballkanin Perëndimor”. Por nuk la pas as ecurinë ekonomike, duke pranuar se “gjithashtu, ekonomia shqiptare vazhdoi të rritej relativisht në mënyrë të shpejtë”. Por Reni përmendi pikat e dobëta të cilat sipas tij, janë: “Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë probleme serioze, pavarësisht përmirësimit të perceptimit publik të cilit i referohet raporti”. Çështja që preket gjithmonë nga ndërkombëtarët, zgjidhja e konfliktit të pronës ishte një tjetër pikë e dobët sipas tij. “Gjithashtu, e drejta e pronës së bashku me infrastrukturën e dobët dhe mungesën e furnizimit me energji janë pengesa për zhvillimin ekonomik dhe për një klimë biznesi më të favorshme”, - përfundoi komisionari i KE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›