E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika shqiptare vlerëson fitoren e Obamës



Tirana ka pritur entuziaste fitoren e kandidatit demokrat, Barak Obama në SHBA, edhe pse Shqipëria shihej si oazi i Evropës për republikanët. Politikanët shqiptarë, të djathtë e të majtë, e kanë cilësuar këtë fitore si historike. Drejtues të lartë të shtetit shqiptar, Kryeministri, Presidenti i Republikës, kryetarja e Kuvendit si dhe krerë të forcave politike shqiptare përshëndetën fitoren e Presidentit të ri amerikan, Barak Obama. Kryeministri Berisha ia dedikoi zgjedhjeve në SHBA, si dhe fitores së Obamës një pjesë të fjalës së tij gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e djeshme, ndërsa Presidenti Topi si dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i nisën një mesazh urimi Presidentit të ri amerikan, Barak Obama.

Berisha

Berisha vlerësoi si mjaft pozitive garën mes Mekejnit dhe Obamës, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të jetë i shkëlqyer. “Unë jam i bindur se tek Presidenti Obama, zëvendëspresidenti Xho Bajden dhe administrata e re, shqiptarët do të kenë miqtë më të shquar dhe se bashkëpunimi i shkëlqyer miqësor midis dy vendeve do të njohë dimensione të reja edhe më të mëdha”, - tha Berisha. Më tej, ai vlerësoi se kjo është një ditë e madhe për Shtetet e Bashkuara dhe njerëzimin, sepse në 45-vjetorin e lëvizjes për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra nga Martin Luther King, i cili u martirizua për shkak të kësaj lëvizjeje, kombi i madh amerikan shndërron në realitet ëndrrën e kësaj lëvizjeje, shndërron në realitet gjithashtu, ëndrrën e Presidentit Kenedi, i cili pati deklaruar se nuk do të jetë e largët dita kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara do t’i përkasë afro-amerikanëve. “Të dy këta burra të mëdhenj, ndoshta, paguan më shtrenjtë se kushdo tjetër vizionin, kurajën dhe guximin e tyre të jashtëzakonshëm, por votimi i djeshëm nga zgjedhësit amerikanë i të gjitha racave, ngjyrave, moshave, gjinisë, gjendjes ekonomike dhe nivelit arsimor, në një unitet të paparë ndonjëherë, është nderimi më i madh që u bëhet atyre dhe idealeve më të larta njerëzore, është përgjigja më e merituar ndaj racizmit dhe diskriminimit racial, nga të cilat ka vuajtur kaq shumë njerëzimi”, - nënvizoi Kryeministri.

Topi

Ndërsa Presidenti Bamir Topi në mesazhin që i shkruan Presidenti të sapozgjedhur i uron fitoren në emër të të gjithë popullit shqiptar, si President i SHBA-së. “Dëshiroj të shpreh besimin se miqësia, partneriteti dhe niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve midis dy vendeve tona do të vazhdojë të konsolidohet e të zhvillohet më tej në interes të aspiratave të dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për demokraci, liri, paqe dhe zhvillim”, - shkruan Presidenti Topi, duke shtuar se populli shqiptar është i vendosur të vazhdojë rrugën e tij për krijimin e një shoqërie të vlerave të demokracisë e të lirisë, për ndërtimin e shtetit të së drejtës e të institucioneve të pavarura, për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve, për thellimin e reformave në fushën e drejtësisë dhe për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar.

Topalli

Në të njëjtën vijë vlerësuese të fitores së Obamës vijon edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: ““Yes! We can! Po ne mundemi!”, Zoti President. Ky është besimi që ju keni përcjellë te çdo qytetar i vendit tuaj të madh, por edhe te çdo qytetar i kësaj bote. Ky është një mesazh, që ne shqiptarët e kemi përpirë, e kemi bërë tonin, e kemi besuar për vendin tonë, për angazhimin tonë, për premtimin tonë. Ju keni inspiruar mbarë kombet. “Po ne mundemi!”. Njëkohësisht përmes këtij mesazhi urimi, kryetarja e Kuvendit ka shprehur bindjen se “në drejtimin tuaj, SHBA do të vazhdojnë në rrugën e miqësisë dhe të bashkëpunimit të shkëlqyer, rrugë që e hapi Presidenti Willson dhe e vijuan të gjithë pasuesit e tij, të cilët gëzojnë përjetë mirënjohjen më të thellë të kombit shqiptar”.

Rama

Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, që nga Londra ka vlerësuar fitoren e Obamës, si fitoren e gjeneratës së re, por duke mos harruar që të përmendë tezat e tij për një politikë të re. “Është shembulli më spektakolar i politikës së re dhe i kapërcimit të kufijve mes së majtës dhe së djathtës, i një politike të qytetarëve, i alternative të politikës së politikanëve. Unë jam besimplotë se sot bota është gdhirë me një frymëmarrje të re, një frymëmarrje të cilën e ndien pa asnjë dyshim edhe Shqipëria, e ndiejnë qytetaret e qytetarët shqiptarë”, - deklaroi Rama. Më tej ai ka shprehur bindjen se pavarësisht se në krye të Shtëpisë së Bardhë do të jetë një tjetër President, marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyera dhe të pavarura nga personaliteti i presidentëve amerikanë apo përkatësia e tyre partiake.

LSI

Zv.kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, përshëndeti në emër të kësaj partie fitoren e Presidentit të ri të SHBA, Barak Obama. Në një komunikim me mediat, Xhufi vlerësoi si Presidentin aktual, Bush, ashtu dhe dy rivalët Mekejn dhe Obamën, si miq të mëdhenj të shqiptarëve. “Por, mbi të gjitha, protagonistë të këtyre zgjedhjeve ishte populli amerikan, i cili në mënyrë të përgjegjshme ushtroi vullnetin e tij sovran, duke i dhënë vetes Presidentin që dëshironte. Lëvizja Socialiste për Integrim, me këtë rast, i dërgon urimet më të ngrohta senatorit Barak Obama, që sot Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - tha Xhufi. Edhe LSI beson se Presidenti Obama dhe administrata e re e tij do të tregojë të njëjtin interes, akoma më të madh, në mbështetjen konsekuente ndaj demokracive të reja në rajonin e Ballkanit, e posaçërisht në mbështetje të demokracisë shqiptare në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.

Votimi, Obama fiton edhe në Tiranë

Ambasada Amerikane ka ftuar të gjitha qytetarët shqiptarë që të votojnë në mënyrë simbolike për kandidatin për Presidentin e SHBA-së. Gjatë kësaj ceremonie, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të Shqipërisë, shqiptarët e pranishëm në natën elektorale të ambasadës amerikane, ndërsa në të njëjtën kohë zhvillohej procesi i votimit simbolik, ku fleta e votimit, ishte edhe po aq simbolike sa vetë procesi. Politikanët e pranishëm ishin më së shumti për Mekejn, ndoshta sepse partia e tij republikane, ishte deri më sot në pushtet. Pavarësisht se çfarë të imponon forca politike që aderon, duket se mbështetja për kandidatin republikan ishte më e theksuar mes politikanëve shqiptarë. Si rasti i Pandeli Majkos, i cili mbështeste Mekejn, edhe pse partia e tij ka mbështetur kandidaturën e Obamës. Votimi u rihap në mëngjes, për t'u mbyllur në orën 09:00, atëherë kur Amerika e kishte tashmë një President të ri. Ambasadori Withers vëzhgonte nga afër dhe siguronte se procesi i numërimit të votave edhe këtu në Shqipëri, do të ishte i ndershëm. "63 për qind e shqiptarëve votuan pro Obamës. Kjo ishte vetëm çështje respekti për votën e hedhur", - u shpreh Withers. Edhe njëherë, si shpeshherë deri më sot, shqiptarët ishin në të njëjtën gjatësi vale me amerikanët.

Withers: Ndryshoi kursi i historisë

Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, u shpreh dje se populli amerikan zgjodhi kandidatin më të mirë mes dy figurave të shquara të politikës. Duke vlerësuar zgjedhjen e demokratit, kandidatit me ngjyrë, Barak Obama, si presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Withers deklaroi se këto zgjedhje kanë ndryshuar kursin e historisë. "Shumë vite më parë, Martin Luther King shprehu ëndrrën për një Amerikë, ku njerëzit të mos gjykoheshin prej ngjyrës, por prej përmbajtjes. Senatori i Illinois-it, tashmë Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kishte guximin të bënte realitet ëndrrën e Luther King", - u shpreh Withers në një pritje të organizuar mëngjesin e djeshëm në ambientet e hotel "Rogner". Duke folur për ndjesinë si qytetar i SHBA-së, pas zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit të tij, Withers solli përpara audiencës disa vargje të një kënge që skllevërit shekuj më pare kishin si refren. "Në rrugën time, për në tokën e premtuar/ Dëgjoj nga Parajsa/ Zoti do të më zgjasë dorën e tij të djathtë/ Dëgjova këtë mëngjes nga Parajsa. Unë ndihem sikur qëndroj përkrah bashkëqytetarëve të mi dhe ne po prekim dorën e Zotit", - përfundoi Withers.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›