E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reflekton PD dhe PS: Kryetarët e partive, jo më shumë se në një listë

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka kaluar dje Kodin e ri Elektoral, por ndryshe nga sa pritej, PD dhe PS u kanë hequr një privilegj kryetarëve të partive. Në variantin e parë, parashikohej se një kryetar partie mund të vendoste emrin e tij të parin në listë në të 12 zonat elektorale. Komisioni ka vendosur dje ta pezullojë këtë pjesë, për ta diskutuar më vonë. Varianti i parë e shihte këtë pjesë si një privilegj ndaj kryetarëve të partive, veçanërisht atyre të partive të vogla, por disa anëtarë në komision e kanë parë këtë pjesë si antikushtetuese, pasi nuk krijonte barazi në kandidim. Kjo pikë është pezulluar, por për të kënaqur partitë e vogla, u vendos që kjo çështje të ridiskutohet edhe njëherë javën tjetër. Në rast se një parti merr 3 për qind të votave, ajo shënohet në tabelën e ndarjes së mandateve, që do të ndahen me formulën “D’hondt”. Me pak fjalë, një parti edhe pse mund të marrë mbi 3 për qind, mund të mos përfaqësohet në Kuvend dhe kjo varet nga qarku se ku është marrë përqindja. Në një qark të madh, si Tirana, ku pritet të dalin 30 deputetë, një parti mund të përfitojë një mandat deputeti me 3 për qind, por me këtë përqindje, në një qark si Vlora, i cili mendohet të ketë 12 mandate deputetësh, nuk përfiton asnjë mandat deputeti. Dje u vendos që pragu ligjor të jetë 3 për qind për partitë dhe 5 për qind për koalicionet, por kjo shërben vetëm si detyrues ligjor për të hyrë në garën e ndarjes së mandateve në qarqe sipas formulës matematikore, jo për t’u përfaqësuar direkt në Kuvend me mandat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›