E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Ky është raporti më pozitiv në 17 vite

Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin tonë si më të mirin e 17 viteve. Gjatë një takimi me ambasadorin e Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, i cili i dorëzoi raportin e progresit të Shqipërisë për vitin 2008, Topalli tha se ky raport është ratifikim i progresit të madh të bërë në Shqipëri. Ndërsa nga ana e tij, ambasadori i KE-së tha se fjala progres është kudo në raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. “Fjala progres është kudo në raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe ky raport nuk lë dyshime për progresin e bërë”, - u shpreh Lohani. Duke i bërë një përmbledhje këtij raporti, ambasadori Lohan theksoi se në kapitullin për Kuvendin nënvizohet: “Parlamenti ka konsoliduar më shumë rolin e tij si fokus në debatin politik. Një numër i konsiderueshëm ligjesh janë miratuar për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë evropian sipas asquis communautaire”. “Jam shumë e kënaqur, - tha kryetarja e Kuvendit, - që në këtë raport, i cili është objektiv dhe realist, njihet se Parlamenti ka konsoliduar më shumë rolin e tij. Ky raport është ratifikim i progresit të madh të bërë në Shqipëri. Ky është raporti më pozitiv që ka ardhur ndonjëherë në zyrat e institucioneve shqiptare në 17 vite. Ai do të jetë axhenda e punës së Parlamentit dhe do t’i shpërndahet çdo deputeti, që ata të njihen me progresin e bërë dhe me sfidat që kemi përpara”. Lidhur me strategjinë e Komisionit Evropian për zgjerimin, ambasadori Lohan theksoi se avancimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të përshpejtohet dhe statusi i kandidatit mund t’u jepet vendeve që kanë potencialin e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›