E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Lundër për sensibilizimin e grave

Në qendër të fushatës sensibilizuese në mbrojtje të shëndetit të gruas dhe nënës, iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, ishte dje fshati Lundër i Tiranës.

Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga drejtues lokalë, mjekë dhe drejtues në Ministrinë e Shëndetësisë, e përqendroi fushatën për luftën kundër tumorit në gji dhe në qafën e mitrës, duke shënuar kështu një fazë të re të turit “Gratë për gratë”. Në mesazhin drejtuar grave, nënave dhe vajzave të Lundrës, kryetarja e Kuvendit tha: "Turi "Gratë për gratë" nuk është vetëm për qytetet, por është një mesazh për çdo zonjë, grua, vajzë, studente dhe nuk mund të mungojë në fshatra dhe komuna të ndryshme. Ndaj dhe sot jam shumë e lumtur që jam këtu dhe një falënderim të veçantë, ua drejtoj mjekeve që janë bashkë me ne.

Për një arsye prania jonë sot është shumë njerëzore, shumë e thjeshtë dhe po aq e vërtetë. Sot ne flasim për jetën, flasim për shëndetin, flasim për fëmijët, prindërit, për nënat e tyre. Dhe gjë më të shtrenjtë për fëmijët se nëna, nuk ka”, - tha kryetarja e Kuvendit. Më tej ajo theksoi se kjo është arsyeja kryesore që së bashku kemi ngritur një dialog dhe përpiqemi të përcjellim një mesazh. “Unë e mbështes këtë fushatë në emër të jetës, familjes dhe të ardhmes së shoqërisë. Unë ju falënderoj që i jeni përgjigjur mesazhit, për të ardhur dhe për të bërë analizat e duhura, të nevojshme për të parandaluar tumorin e qafës së mitrës.

Është një sëmundje, të cilën ne e mundim, mund ta fitojmë duke bërë kujdes, duke ardhur për të kryer pap-testin”, - deklaroi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›