E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka e BE-së kërkon hetime të skandaleve dhe pavarësi të Gjyqësorit



Eljona Ballhysa
Takimi i fundit i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë me Trojkën e BE-së duket se nuk ka rezultuar i suksesshëm. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarzenberg, pjesë e Trojkës së BE-së, është shprehur se qeveria shqiptare duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, duhet të hetojë çështjet me rëndësi madhore si dhe të garantojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ai është shprehur në mënyrë metaforike se BE-ja tashmë i ngjan një shtëpie së cilës i kanë plasur tubat dhe është përmbytur, duke nënkuptuar se nuk do të ketë anëtarësime të reja dhe se Shqipëria është vonuar për të aplikuar për statusin e kandidatit. Ministri shqiptar, Lulzim Basha, ka paraqitur një raport të detajuar mbi zhvillimet në Shqipëri, ndërsa është ndaluar veçanërisht te masat që ka marrë qeveria për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Trojka
“Ne përsëritëm domosdoshmërinë për vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për garantimin e pavarësisë të Gjyqësorit dhe nevojën për të garantuar hetime të shpejta dhe ndjekje efikase për rastet madhore të paaftësisë”, - është shprehur Karel Shvarzenberg, ministër i Jashtëm i Çekisë, e cila mban presidencën e radhës së BE-së. Përsa i përket kërkesës së qeverisë shqiptare për të aplikuar për statusin e vendit kandidat, ministri çek është shprehur se aktualisht BE-ja është përfshirë nga kriza ekonomike dhe nuk ka vend për një kërkesë të tillë. “Nuk ka dyshim që Presidenca çeke dhe suedeze janë më të hapurat në shtrirjen e BE-së në Ballkan. Shqipëria është e ftuar të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Nëse ju do të më ftoni në shtëpinë tuaj, unë e pranoj ftesën, por nëse në atë moment janë çarë tubat dhe shtëpia noton në ujë, ju nuk do jeni shumë mikpritës. Nga kriza ekonomike BE-ja është si një shtëpi e mbushur me ujë. Pra nxirrini vetë konkluzionet e kësaj”, - është shprehur Shvarzenberg.
Përsa i përket kërkesës së liberalizimit të vizave, Trojka europiane kërkoi futjen në përdorim të pasaportave biometrike dhe kujdes të vazhdueshëm politik dhe administrativ për këtë çështje. Në përfundim të takimit Trojka e BE-së dhe ministri Basha ranë dakord të koordinojnë ngushtë të gjitha veprimet e mëtejshme dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me BE-në në kuadër të procesit të integrimit europian, përfshi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE brenda presidencës çeke, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Basha
Ministri Basha, nga ana e tij, gjatë takimit me Trojkën europiane, e cila përbëhet nga ministrat e Punëve të Jashtme të Presidencës aktuale dhe asaj të ardhshme, respektivisht, ministri çek, Karl Shvarzenberg dhe ai suedez Karl Bildt, Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian dhe Rober Kuper, drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Sekretariatin e Këshillit Europian, parashtroi kërkesat e Shqipërisë si dhe bëri një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri. “Aplikimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë janë dy prioritetet kryesore të Shqipërisë në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në”, - theksoi ministri Basha në fillim të takimit me Trojkën europiane. Më pas Basha dha informacion për përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, çështje që lidhen me MSA-në dhe hyrjen e saj së shpejti në fuqi, përgatitjen e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për kalimin në një fazë të re të bashkëpunimit me BE-në dhe zhvillimet rajonale e roli i Shqipërisë në rajon.
Basha u ndal gjithashtu në rezultatet e konsoliduara në luftën me tolerancë zero të qeverisë shqiptare ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, duke e ilustruar këtë edhe me raportet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare. Ky ishte takimi i fundit në këtë kuadër, pasi me hyrjen së shpejti në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me BE-në, dialogu Shqipëri-BE do të strukturoret në forma më të ngushta bashkëpunimi.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›