E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja me amnistinë fiskale

Përjashtohen nga amnistia fiskale ato biznese që janë në procese gjyqësore me doganën. Udhëzimi i miratuar së fundmi nga Drejtoria e Doganave ka hasur në kundërshti të forta nga bizneset anëtare të Dhomës Amerikane. Në takimin e zhvilluar dje me kreun e Doganave, u mësua fakti se, qeveria ka miratuar një udhëzim që përjashtonte nga falja e gjobave ato biznese që janë në proces gjyqi me Doganën dhe Tatimet. Manovra e qeverisë redukton në masë të konsiderueshme biznese të ndryshme, të cilat, për motive që lidhen me masën administrative të doganës, kanë hapur proces për zgjidhjen e çështjes. Fatura e amnistisë fiskale për Doganën është rreth 7 miliardë lekë, por me udhëzimin e ri nuk pritet ndonjë përfitim i madh për biznesin, në një kohë kur afati skadon më 7 prill 2009. Pyetjes së anëtarit të Dhomës Amerikane, Genc Boga, se "si e zgjidh rastin Dogana kur biznesi kërkon amnisti fiskale dhe e ka ankimuar në gjykatë? A e përfitojnë amnistinë edhe pse janë në proces gjyqësor?", kreu i Doganës, Dervishi, iu përgjigj shkurt se, "nuk përfitojnë nga amnistia për aq kohë sa nuk dihet se çfarë vendimi mund të japë gjykata". Sipas Dervishit, vendimi mund t‘i japë të drejtë biznesit dhe si rrjedhojë ai përfiton më shumë sesa i jep amnistia, falje vetëm të kamatëvonesës apo gjobën. "Udhëzimi i Doganave a mund të quhet si bazë ligjore? Ju nuk keni të drejtë të bëni legjislacionin. Një tjetër problem lidhet me publikimin e këtij udhëzimi, i cili nuk gjendet asgjëkund", vijoi debatin Boga. "Drejtoria e Doganave ka pasur predispozicionin që të fitojnë sa më shumë subjekte. I kemi përjashtuar rastet në gjykatë, pasi në rast se fiton procesin gjyqësor, atëherë kemi përplasje të vendimeve", iu përgjigj Dervishi, interesimit të biznesit.

Fatura e amnistisë fiskale llogaritet në rreth 16 miliardë lekë. Deri tani, Ministria e Financave nuk ka mundur të paraqesë të dhëna sesi po ecën procesi i amnistisë fiskale. Për ekspertët e fushës, udhëzimi i ri nuk është veprim serioz i qeverisë. Agim Binaj sugjeron tërheqjen e padisë nga ana e biznesit, në mënyrë që të përfitojë nga amnistia fiskale.

Takimi i djeshëm solli në vëmendje çështjen e referencave doganore, që për biznesin vazhdojnë të mbeten të larta dhe si mjeti abuziv për të rritur të ardhurat. Por kreu i Doganave garantoi një rivlerësim të referencave, duke premtuar një punë më të mirë nga ana e administratës që drejton. Ankesat e bizneseve lidheshin edhe me garancinë bankare, e cila nuk kthehej në kohë, sikundër e parashikon ligji gjashtë muaj. Të tjera biznese si fasonët, kishin probleme me shtyrjen e pagesës së TVSH-së, ku për çdo veprim, Ministria e Financave kërkonte plan-biznesin. Të gjitha këtyre pyetjeve Dervishi iu përgjigj me shumë kujdes duke mos dhënë sqarime të hollësishme. Duke folur për situatën ekonomike në vend, kreu i Doganave ka pranuar efektet negative të krizës, por nga ana tjetër deklaroi se pavarësisht rënies ekonomike, plani i ministrisë është për mbledhje të të ardhurave me rreth 10 miliardë lekë më shumë. Në këtë pikë, ekspertja e Financave, Adriana Berberi, shtroi pyetjen, "Si do të mbrohet biznesi që të mos mbajë gjithë barrën e rritjes së të ardhurave të doganës?". "Ne do të bëjmë presion mbi ato biznese që nuk i kanë dokumentet e rregullta, megjithatë nuk kemi kapacitetin e duhur për të kontrolluar gjithçka. Mendojmë se ka akoma vende ku abuzohet dhe nuk ka dokumentacion të rregullt. Nuk do të shtojmë presionin mbi ata që bëjnë biznes të rregullt", iu përgjigj Dervishi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›