E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja politike që mban peng buxhetin e Bashkisë së Tiranës

Dervishaj nuk firmosi për ta rikthyer procesin e votimit në Këshillin Bashkiak. Prefekti Keçi: ”Mbaroi afati, asnjë dokument nuk ka ardhur në zyrën time”

Emanuela Sako

Loja politike që po bëhet për të pranuar ose jo votimin që u bë 8 ditë më parë në Këshillin Bashkiak, po mban peng buxhetin Bashkisë së Tiranës. Afati i përcaktuar për shqyrtimin dhe firmosjen e buxhetit tashmë ka përfunduar. Kryetari i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht dhe përfaqësues i LSI-së, Sokol Dervishaj, nuk e firmosi dokumentin që shpallte të rregullt votimin për buxhetin e 2009-s. E gjithë peripecia dhe deklaratat e forta politike, pro dhe kundër buxhetit, duket se do të çojnë edhe njëherë në një votim të katërt në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në këtë mënyrë, buxheti nuk mund të kalonte për firmën e prefektit dhe, për pasojë, duhet të ribëhet procesi i votimit në Këshillin Bashkiak. Kushtet e vendosura nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të PD-së dhe të LSI-së janë për rishikimin e disa pikave, që sipas tyre, janë çështje që kanë qenë edhe në buxhetin e vitit të kaluar.

Deklarata

Prefekti i Qarkut të Tiranës, Ruzhdi Keçi, deklaroi se afati për dorëzimin e buxhetit në këtë institucion dhe shpallja e vlefshmërisë së tij tashmë ka kaluar. Prefekti Keçi shprehet se nuk i është dorëzuar buxheti për firmë, ndërkohë që afati ka kaluar. Ai sqaroi se nuk do të tregohet strikt me afatet, pasi buxheti është në shërbim të komunitetit. “Sot përfundon afati ligjor i ardhjes së vendimit nga dita që ky merret në Këshillin Bashkiak. Për hir të interesave më të mëdha të komunitetit të Tiranës, unë nuk do të jem aq strikt në afatin ligjor. Por nuk besoj se do të jetë afati kohor shqetësimi dhe ky problemi”, - u shpreh Keçi. Sipas tij, përderisa palët nuk po gjejnë një zgjidhje, atëherë duhet të ketë një mbledhje tjetër për votimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. “Nuk ka ardhur vendimi dhe nuk pres të vijë, sepse nisem gjithmonë nga deklarata e kryetarit të Këshillit, që ka thënë që votimi ka qenë nul. Meqenëse votimi, sipas tij, ka qenë nul, unë besoj se do të ketë një votim tjetër, do të ketë një mbledhje tjetër të Këshillit”, - theksoi prefekti.

Çështja

Çështja për buxhetin e 2009-s ka marrë nuanca të forta politike, çka pengon zhvillim normal të votimeve që janë kryer dhe të një zgjidhje përfundimtare të pranimit të tij nga të gjithë anëtarët e Këshillit. Buxheti i Bashkisë tashmë është në dorën e kryetarit të Këshillit Bashkiak, i cili duhet ta firmosë dhe më pas t’i kalojë përfundimisht për firmë prefektit. Por duket se për Dervishajn kjo gjë është e pamundur, pasi kërkohet rishqyrtimi i tij dhe më pas votimi në një seancë tjetër. Në seancën e një jave më parë, buxheti kaloi me 29 vota pro. Procedurat ligjore i japin të drejtën e votimit Këshillit Bashkiak të Tiranës deri në datën 31 mars. Në të kundërt, Këshilli Bashkiak do të shpërndahet për të kaluar në zgjedhje të reja të anëtarëve të këtij Këshilli. Ndërkohë që nuk është bërë asnjë ndërhyrje në buxhetin e 2009-s, siç kanë pretenduar nga anëtarët e PD-së dhe të LSI-së pranë Këshillit Bashkiak.

Çfarë parashikon buxheti i Bashkisë së Tiranës për 2009-n

Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i përcaktuar për vitin 2009, parashikon ndryshimin e Tiranës në të gjitha zonat. Buxheti i Bashkisë parashikon ndërhyrje në të gjithë problematikën me të cilën hasen çdo ditë qytetarët. Ekspertët e Bashkisë së Tiranës kanë detajuar ndërhyrjet që do të bëjë Bashkia dhe shumën e akorduar për çdo sektor. Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit, që është përcaktuar nga vetë qytetarët. Buxheti i Bashkisë për vitin 2009 arrin në shifrën 7.6 miliardë lekë, që është menduar të shkojnë për shpenzime operative dhe kapitale për të gjitha programet e përfshira. Buxheti parashikon ndërhyrje të mëdha në disa sektorë problematikë për qytetarët në të 11-të njësitë bashkiake. Në dëgjesat publike që janë zhvilluar mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve janë përcaktuar dhe zonat apo objektet në të cilat duhet të kryhen ndërhyrje. Projekti i Bashkisë së Tiranës për rregullimin e territorit do të prekë qendrën e Tiranës dhe komunat përreth, të cilat do të marrin funksione të reja apo do të përmirësojnë kushtet e atyre ekzistuese. Një pjesë e madhe e zonave informale dhe ato që e kanë të nevojshme përshtatjen e kryeqytetit me parametrat e një qyteti europian do t’u nënshtrohet një sërë ndryshimesh. Zonat më të prekura nga ndryshimet janë periferitë dhe kryesisht zona e Kamzës dhe Bregu i Lumit, apo shtrirja që do të ketë ndërtimi i Unazës së Madhe.

Shalsi fajëson kryeministrin dhe kryetarin e LSI-së për buxhetin

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, reagoi dje ndaj lojës politike që po i bëhet buxhetit. Ai ka fajësuar kryeministrin e vendit, Sali Berisha dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, se pakti i tyre po pengon zhvillimin e kryeqytetit nëpërmjet mbajtjes peng që po i bëjnë buxhetit të Bashkisë.
“Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë marrë peng jo vetëm buxhetin, por dhe demokracinë vendore. Ata janë bërë bashkë për ta penguar me dhunë antiligjore dhe antiinstitucionale zyrtarizimin e votimit të shumicës së Këshillit Bashkiak pro buxhetit. Kjo shfaqje e hapur e mohimit të dhunshëm të vullnetit qytetar të shprehur me votë është shembulli më i qartë i dëmeve që bën përditë politika e vjetër e Sali Berishës dhe Ilir Metës”, - u shpreh Shalsi. Bashkia e Tiranës e cilëson të vlefshëm votimin që u bë me marrjen e 29 votave, ku 22 prej votuesve ishin përfaqësues të PS-së dhe 7 të tjerë përfaqësues të forcave të tjera politike. Sipas Shalsit, politika e vjetër po përpiqet të mbajë peng kryeqytetin dhe po pengon zhvillimin demokratik në njësitë vendore.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›