E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monopolizimi, një avokat për të gjithë të ndaluarit në komisariat



KSHH denoncon: Dyshime për afera korruptive, kemi vënë në dijeni Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Hysi: Do të kërkohet procedim penal për avokatin

Një avokat i vetëm rezulton që mbulon 80% të të arrestuarve në komisariat. Konstatimi ka ardhur gjatë një inspektimi të bërë në disa komisariate dhe ambiente paraburgimi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Për këtë arsye, KSHH-ja i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë për ta vënë në dijeni mbi faktin dhe për të mësuar më tepër se si funksionon caktimi i avokatëve kryesisht dhe nëse ka një listë që u dërgohet komisariateve apo gjykatave për këta avokatë. Një gjë e tillë është konsideruar si skandal nga drejtorja ekzekutive e KSHH-së, Vasilika Hysi, e cila është shprehur se “skandali thellohet edhe më tej, kur një avokat është thirrur 83 herë në një komisariat për të mbrojtur të drejtat e të ndaluarve”. Hysi nuk përmendi emrin e avokatit apo qytetin ku ka ndodhur skandali, por sqaroi se bëhet fjalë për një qytet të madh dhe se në komisariat caktohej gjithmonë i njëjti avokat kryesisht për të mbrojtur të ndaluarit, duke mos lënë radhë për të tjerë avokatë. “Ky mund të konsiderohet një monopolizim, duke pasur parasysh se qyteti ka mjaft avokatë të tjerë që mund të caktohen kryesisht për të ndaluar të ndryshëm. KSHH-ja ka vendosur të kërkojë procedim penal për këtë avokat, ndërkohë që konstaton se këtu ka raste të qarta të aferave korruptive”, - shprehet drejtorja Hysi, duke shtuar se duket disi absurde që të shoqëruarve u caktohet përherë i njëjti avokat kryesisht. Ndërkohë që një fenomen i ngjashëm është konstatuar edhe në kryeqytet, ndërkohë që prej vëzhgimeve në paraburgime ka rezultuar se një avokat ka të paktën 15 të mitur për të mbrojtur, ndërkohë që prej këtyre të fundit deklarohet se nga avokatja nuk janë takuar asnjëherë që pas arrestimit dhe caktimit të masës në gjykatë. Ky është një tjetër shqetësim, pasi këta avokatë monopolizojnë mbrojtjen gjatë shoqërimit në komisariat deri në seancën e caktimit të masës, dhe më pas nuk duken më për të takuar klientët e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›