E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarë të lirë me bollëk

Janë 85 futbollistë të cilëve në qershor u skadon kontrata me klubet e tyre në La Ligën spanjolle. Ata mund t’i fillojnë negociatat me klubet tjera që nga muaji i ardhshëm. Ndër lojtarët me emër që bëjnë pjesë në këtë listë janë edhe Diarra, Senna, Edmilson, Raul Tamudo e Albelda. Nga Express më 13 janar 2011 në ora 09:21

Tetëdhjetepesë. Janë shumë lojtarë në La Ligën spanjolle që do t’u përfundojë kontratat në qershor dhe që janë të lirë që nga muaji i ardhshëm për të negociuar me klube të tjera për sezonin e ardhshëm.

Si gjithmonë, në këtë listë ka gjithçka: duke u nisur nga ‘luanët’ e vjetër, lojtarët premtues e deri tek ata që nuk luajnë kurrë ose luajnë rrallë, të lënduarit kronikë apo raste të tjera.

Disa prej tyre mund ta zgjedhin një ekip për ta përfunduar karrierën brilante, kurse të tjerë mund të rigjenerohen, e të tjerë mund të ngriten përfundimisht në majën e futbollit evropian.

Fillojmë nga ata që kanë emër: madrileni Mahamadou Diarra, 6 tituj të kampionit rresht me Lyon e Real Madrid, pastaj Marcos Senna, kampion i Evropës me Spanjën dhe tash i ndalur pas një serie lëndimesh, njëjtë si Ivan de la Pena i Espanyolit.

Braziliani Edmilson, sulmuesit Tamudo, që në të kaluarën luajti në Espanyol e ‘Rifle’ Pandiani, që një kohë në Osasuna. Te Valencia kontrata i skadon portierit 39 vjeç, Cesar, i cili ishte titullar deri para lëndimit të tij. Pastaj Vicente nga po ky klub, i cili gjithashtu ka probleme me lëndime dhe shtylla e këtij ekipi, Albelda, 33 vjeç.

Edhe mbrojtësi serb Dragutinovic mund të largohet nga Sevilla, pasi 35 vjeçari nuk i ka punët aspak mirë me gjurin. Edhe përfaqësuesit iranianë, Nekounam e Masoud mund të largohen nga Spanja. Pastaj mbrojtësi danez i Malagas, portieri zviceran i Racing, Coltorti dhe mbrojtësi 31 vjeç francez Pamarot, që pati një sezon të mirë me Hercules.

Luan pak dhe ka mundësi të largohet edhe braziliani Juca, që është pjesë e Deportivos. Rrugën e tij mund ta ndjekë edhe sulmuesi 31 vjeç Ivan Alonso, që mund ta lë Espanyolin për shkak të minutazhin të vogël. Edhe mbrojtësi i ri i Real Madrid, Mateos, mund të largohet në verë, pasi nuk po gjen hapësira në skuadrën e Jose Mourinhos.

Pastaj mbrojtësi i majtë Koikili mund të largohet nga Athletic Bilbao, njëjtë si Tote nga Hercules e Diego Castro (Sporting). Xisco Nadal e Sergio po luajnë mjaft mirë me Levanten dhe interesimi i skuadrave të tjera për ta nuk do të mungojë. Ata që vlejnë të përmenden janë edhe mbrojtësi i krahut të Espanyol, Chica e mesfushori i Deportivos, Juan Rodriguez, që po ashtu do ta ndërrojnë mjedisin gjatë verës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›