Messi, favorit për Topin e Artë 2011

Lionel Messi ndoshta është befasuar me çmimin ‘FIFA Topi i Artë’, të cilin e mori të hënën mbrëma, por bastvënësit janë të sigurt se kjo nuk do të jetë hera e fundit që ylli argjentinas e fiton këtë trofe. Madje, ata e favorizojnë futbollistin e Barcelonës edhe për ‘FIFA Topi i Artë 2011’, i cili do të jepet pas 12 muajsh.
Vetëm disa orë pasi e mori për herë të dytë çmimin më të rëndësishëm personal të një futbollisti, ‘gjeniu i vogël’ është vlerësuar me kuotën më të vogël, 2.75, për ta fituar për herë të tretë këtë trofe, në janarin e vitit tjetër.
Vetëm Michel Platini e kishte fituar këtë çmim prestigjioz për tri vjet rresht (1983, 84, 85). Bastvënësit janë shumë të bindur se Messi do të triumfojë, sa që ata e kanë zbritur kuotën në vetëm 1.65, për ata që mendojnë se këtë mirënjohje do ta fitojë dikush tjetër përpos Messi.
Cristiano Ronaldo është kundërshtari kryesor i Messi, për ta fituar trofeun të cilin e kishte rrëmbyer në vitin 2008. Edhe pse shënoi gola të shumtë në La Liga, ylli i Real Madrid ka kuotën 7 për të fituar ‘FIFA Topi i Artë’.
Pastaj renditet Andres Iniesta i Barcelonës, me kuotën e njëjtë, 7 dhe shoku i tij i skuadrës, Xavi (11). David Villa është pretenduesi tjetër me kuotën 17, kurse Wayne Rooney konsiderohet si lojtari me më së shumti mundësi nga Anglia për ta fituar këtë çmim, me kuotën 21.