Revolucionari Platini

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) planifikon të bëjë revolucion. Kampionatet kombëtare do të luhen edhe gjatë verës (nga shkurt-mars deri në nëntor), derisa klubet të cilat kanë bilanc financiar negativ nuk do të lejohen të marrin pjesë në kupat evropiane. Ky është projekti i kreut të UEFA-s, Michel Platini.
Ai do të konfirmohet në mars si president i UEFA-s edhe për katër vjet dhe e ka përkrahjen e plotë të presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter. Andaj, francezi është i bindur në idenë e tij. Me këtë rast, kampionët kombëtarë do të zbuloheshin vetëm në muajin nëntor.
Kjo ide ka lindur pas idesë tjetër që kampionati botëror Katari 2022, të mbahet gjatë dimrit, e cila pritet ta marrë dritën jeshile shumë shpejt. Në vendin arab do të ishte çmenduri për të luajtur gjatë verës, edhe pse organizatorët kanë premtuar klimatizim të stadiumit në mënyrë perfekte dhe hiperteknologji.
Mirëpo, atje është shumë nxehtë edhe për tifozët (temperatura mesatare arrin deri në 40,5 gradë celsius). Andaj, ky është rasti i veçantë që Botërori të zhvillohet në janar. “Janë shumë gjëra që do të duhej të ndryshoheshin në kalendar”, ka thënë Platini në mënyrë misterioze kohëve të fundit.
Programi i Platinisë është ky: kampionatet kombëtare evropiane do të fillonin në muajin shkurt (ose në mars) për të përfunduar në nëntor. I njëjti revolucion do të ndodhë edhe në kupat evropiane.
“Është absurde të luash në kulmin e dimrit në Evropë. Më mirë do të ishte për të luajtur në verë”, shton Platini i cili si duket kujton të ftohtit e kohës sa luante në Juventus, ku kishte qëndruar 5 vjet.
Megjithatë, klubet janë të preokupuara. “Jemi ne ata që i paguajmë lojtarët e jo UEFA ose FIFA”. Platini planifikon që ta fillojë së aplikuari këtë ide pas 3-4 vjetësh, pa e pritur vitin 2022.