E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja “kërcënon”futbollistët e larguar



Largimet e fundit në drejtim të Tomorit kanë lënë shumë boshllëqe në ekipin e Lushnjës. Kjo është evidentuar edhe në takimin miqësor të zhvilluar kundër Gramozit, në Pogradec. Dje, shefi i klubit të Lushnjës, Ardian Prifti, ka dalë në një deklaratë për shtyp në lidhje me këto largime. Sipas drejtuesve e klubit lushnjar, këta futbollistë nuk mund të lëvizin nga Lushnja pasi kanë një kontratë me të dhe duhet ta respektojnë deri në fund. Në të kundërt, duhet të shlyejnë të gjitha detyrimet që u kanë verdhejeshilëve. “Futbollistët kanë të drejtën të zgjedhin skuadrën që duan, por jo sot të firmosin një kontratë me ne, e nesër të largohen. S’e vëmë në dyshim që mund t’u ketë ardhur një ofertë më e mirë, por jo duke krijuar kështu boshllëqe në skuadër. Futbollistët që janë larguar drejt skuadrës së Tomorit dhe që kanë nën kontratë me ne, si Mërtiri, Dhima apo Topi nuk mund të largohen. Ata paraprakisht duhet që të përfundojnë një herë detyrimet e tyre ndaj klubit që e kanë firmosur vetë, kjo është faktike dhe më pas janë të lirë të vendosin çfarë të duan. Në të kundërt duhet të dëmshpërblejnë ekipin me 10 mijë euro. Ne po përgatisim dokumentet që do të çojmë në Federatës Shqiptare të Futbollit për të mbajtur këta lojtarë me ekipin tonë ose të marrim dëmshpërblimin”, - thotë Prifti në lidhje me “firot” e fundit nga ekipi i Lushnjës.

Largimet
Teksa kampionati po afron, Lushnja po humb nga dita në ditë lojtarët e saj, të cilët kanë gjetur si “strofkë” skuadrën e Tomorit. Ende nuk dihet se cili do të jetë grupi i futbollistëve që do të marrë përsipër fatet e Lushnjës për sezonin e ri futbollistik, pasi për momentin vetëm pak kanë mbetur nga ata të sezonit të shkuar. Edhe pse fundjava ka qenë ditë pushimi për verdhejeshilët e Lushnjës, nuk ka qenë e tillë për drejtuesit, të cilët kanë filluar të lëvizin për të mbajtur në ekip lojtarët titullarë, por edhe për të afruar të tjerë që do ta kompletojnë më shumë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›