E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojtaret menduri te luash ne 50

Sindikata, dakord për Botërorin 2022 në dimër. Blater: FIFA, vendime historike

Më parë u hap “drita jeshile” e Sep Blater, ndërsa tashmë vjen “OK”-ji i futbollistëve: Botërori 2022, i cili do të organizohet nga Katari mund të jetë i pari në histori që mund të luhet në dimër. “FIFpro”, sindikata botërore e lojtarëve profesionistë, ka konfirmuar qëndrimin e saj, kundër zhvillimit të evenimentit në verën përvëluese të Emiratit. “Natyrisht që do të preferonim spostimin e Kupës së Botës 2022 në janar. Të luash në një vend ku temperaturat gjatë verës janë mesatarisht 41°, ndërsa vlerat maksimale kapin edhe 50° dhe me shumë lagështi, nuk do të kishte kuptim”, deklaroi Tijs Tumers, sekretari i “FIFpro”. Kushtet e përshtatshme për shëndetin e lojtarëve mbeten prioritete, shpjeguan drejtuesit e sindikatës, megjithatë nuk kanë munguar as shqetësimet për problemet ekologjike: “Sipas organizatorëve të aktivitetit, ajri i kondicionuar do të garantonte që temperaturat brenda stadiumeve të jenë 27 gradë Celsius, por është e kuptueshme që kjo mund të shkaktonte pasoja të rënda për ambientin”. Një pikë e debatuar është kalendari, i cili do të duhet të përshtatet, por sipas institucionit që kujdeset për mbrojtjen e futbollistëve, ndeshjet në kampionatet dhe kupat kombëtare nuk do të përbënin asnjë pengesë. “Gjatë kësaj fundjave, mjaft kampionate europiane u paralizuan për shkak të dëborës: në këtë këndvështrim, më tepër sesa problem, botërori në dimër do të ishte një avantazh”, shpjegoi Tumers. Deri më tani ka ardhur “OK”-ji informal nga FIFA dhe UEFA, ndërsa mungon qëndrimi i komitetit organizator, që ka fjalën e fundit për spostimin e ndeshjeve të Kupës së Botës.

Ndërkohë, Josep Blater ka dalë në mbrojtje të vendimeve të FIFA-s, për t’i përcaktuar Rusisë zhvillimin e Botërorit 2018 dhe Katarit atë të edicionit 2022. Presidenti i federatës botërore u është përgjigjur kritikave duke kujtuar se “në futboll duhet të dish të humbasësh”. Në një intervistë për faqen zyrtare të institucionit që drejton, Blater u shpreh: “Mund ta kuptoj zhgënjimin e kandidatëve të tjerë, por ndoshta disa persona e kanë harruar se në futboll duhet të dish të humbasësh, përveçse të fitosh. Kjo është një garë: dikush fiton, ndërsa të tjerët humbasin. Është më se normale”. Vendimi i dyfishtë i FIFA-s është kritikuar gjerësisht edhe nga shtypi: “Mediat sportive nuk e vlerësojnë gjithmonë rëndësinë sociale apo kulturore të një botërori. Ato mendojnë vetëm për penalltitë, goditjet e këndit, gjykimin dhe paratë. Por, siç e kam theksuar edhe më parë, vendimi ynë në favor të Rusisë dhe Katarit nuk ka lidhje me paratë”, deklaroi zvicerani 74-vjeçar. “Kemi marrë një vendim historik në terma sportivë dhe gjeopolitikë. Do ta çojmë Kupën e Botës në territore të reja: më 2018- n shkojmë në Europën Lindore dhe në botën arabe. Kjo zgjedhje nuk lindi dje. Paraardhësi im, Havelanzh, ka thënë se futbolli duhet të bëhet një sport universal”. Në fund, Blater ka analizuar vitin 2010: “Ky vit ka shënuar diçka historike: organizimi i Kupës së Botës në Afrikë është një sukses i jashtëzakonshëm. Impakti me atë botë ishte fenomenal”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›