E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 9 makina luksi të trafikuara, në hetim 2 persona

Tiranë Mjetet rezultojnë të vjedhura në Itali, Gjermani dhe Serbi

Policia e Tiranës sekuestroi 9 automjete luksi që rezultuan të vjedhura në Itali, Gjermani dhe Serbi, të trafikuara në Shqipëri. Burime policore thanë për gazetën se këto mjete qarkullonin në Tiranë, ndërsa pas verifikimit se për to ishin bërë denoncimi për vjedhje në vendet nga kanë ardhur, filluan hetimet ndaj dy shtetasve shqiptarë dhe një shtetasi italian me akuzën e trafikimit të mjeteve motorike. Në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit thuhet se specialistët e seksionit kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kanë realizuar operacionin “BMW” falë të cilit kanë sekuestruar 9 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit, të cilat pas verifikimeve të kryera me Interpol Tiranën kanë rezultuar të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. Sipas policisë në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, u sekuestrua automjeti tip “Mini Cooper”, pasi nga verifikimet e bëra rezultoi i vjedhur në Itali më shumë se një vit më parë. Ky mjet iu bllokua shtetasit B.V, 38 vjeç, i cili do të hetohet në liri për konsumimin e veprës penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”. Ky automjet rezultoi të kishte hyrë në Shqipëri përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit dhe se ishte sjellë nga shtetasi italian, Angelo Gisondi, 42 vjeç, kërkimi për të cilin u është referuar autoriteteve italiane. Po sipas policisë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin A.P, 29 vjeç, pasi në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” i është bllokuar automjeti foristradë tip “Porsche Cayenne”, që pas verifikimeve të kryera nga Interpol Tirana, ka rezultuar i vjedhur në Serbi dy vjet më parë. Po në pika të ndryshme të kryeqytetit uniformat blu kanë mundur të bllokojnë edhe automjete të tjera si; BMW, BMW X6, “Smart” dhe “Mercedes Benz”, të vjedhura në Itali, “Toyota” dhe “Porsche Cayenne”, të vjedhura në Serbi dhe një BMW Grand Tourismo, i vjedhur në Gjermani.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›