Lordi Robertson: Dua të përgëzoj përpjekjet e vendosura të Kryeministrit tuaj për të luftuar krimin, korrupsionin dhe trafiqet që janë tipike për këtë rajon Kryeministri i Shqipëris
Lordi Robertson: Dua të përgëzoj përpjekjet e vendosura të Kryeministrit tuaj për të luftuar krimin, korrupsionin dhe trafiqet që janë tipike për këtë rajon
Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, dhanë sot një konferencë të përbashkët për shtyp, në mjediset e Hotelit Sheraton.
Në fillim, Kryeministri Nano dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Robertson bënë nga një deklaratë për shtyp.
Kryeministri Fatos Nano:
Sot përfunduam takimin zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Shkëlqesinë e tij Lordin Robertson dhe me Këshillin e Atlantikut të Veriut. Kjo është vizita e parë e tyre jashtë Brukselit, pas Samitit të Pragës dhe ne e konsiderojmë këtë si një shenjë të angazhimit të pandërprerë të NATO-s ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast u evidentua progresi i bërë në Shqipëri në drejtim të integrimit në strukturat Euro-Atlantike në përgjithësi dhe në Programin e anëtarësimit në NATO, në veçanti.
Kam për detyrë të ritheksoj se Qeveria Shqiptare e vlerëson proçesin e anëtarësimit në NATO si pjesë koherente të integrimit europian. Nga kjo pikëpamje reformat e integrimit që kemi ndërmarrë, synojnë njëkohësisht integrimin në BE dhe NATO.
Këshilli i Atlantikut Verior, në takimet në Tiranë, tregoi interes të veçantë për shpjegime më të hollësishme që iu dhamë për përmbushjen e programit të veprimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Veriut. Lordi Robertson, në mënyrë të veçantë, tashmë edhe në kontakt ju, ka vlerësuar progresin e bërë si shumë evident në Shqipëri.
Në të gjitha takimet ne trajtuam në mënyrë të hollësishme çështje prioritare që kanë të bëjnë me reformat në Ushtri, me reformat institucionale ekonomike dhe të administratës, me forcimin e menaxhimit të kufijve dhe luftën për reduktimin e ekonomisë informale, ndaj krimit të organizuar, etj., në bashkëpunim me aktorë të tjerë jo qeveritarë brenda dhe jashtë vendit, si dhe në bashkëpunim shumë më të gjerë me vendet e rajonit.
Ashtu siç bëra në takimin me Këshillin e Atlantikut Verior, më lejoni të rikonfirmoj se Qeveria që unë drejtoj vazhdon të trajtojë me përparësi, dhe si prioritet të aksionit të saj ekzekutiv, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. Edhe përfaqësuesit e lartë të NATO-s e vlerësuan punën e qeverisë si një institucion i angazhuar kryekëput në luftën kundër këtyre fenomeneve. Ne po i përgjigjemi krimit të organizuar me drejtësi të organizuar. Aksionet tona ligjore në këtë fazë janë përqëndruar në goditjen e tafiqeve të paligjshme të drogës dhe prostitucionit, si dhe në zbatmin me ritme të larta të strategjisë së menaxhimit të kufijve, të miratuar në Konferencën e Ohrit në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe më gjerë.
Ne mbetemi të bindur se paqja dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor përbën një kusht për integrimin dhe është i lidhur me kontribute reale të çdo vendi, përfshi edhe Shqipërinë.
Prandaj vlerësimi i rikonfirmuar i Këshillit të Ambasadorëve të NATO-s dhe i Lordit Robertson për kontributin e pandërprerë të Qeverisë Shqiptare në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit dhe të paqes në rajon, konsiderohen nga ne si nxitje për të vazhduar angazhimet e qëndrueshme për këto qëllime edhe në të ardhmen. Në konkluzion më lejoni të ritheksoj se sigurova në emër të qeverisë dhe të mazhorancës parlamentare që drejtoj përfaqësuesit e lartë të NATO-s dhe të vendeve të saj për vazhdimin e angazhimeve tona në thellim të bashkëpunimit të institucioneve shtetërore në Shqipëri me homologët e tyre në NATO dhe BE në dobi të përshpejtimit të reformave që garantojnë realizimin e objektivave të planit të veprimit për anëtarësim me të njëjtin ritëm që ecin negociatat tona për asociim-stabilizimin me BE.
Duke ftuar Lordin Robertson të bëjë vlerësimet e tij me ju, më lejoni të falenderoj publikisht interlokutorët e rëndësishëm të ditës së sotme për mirëkuptimin e gjetur dhe angazhimin e përbashkët të rikonfirmuar.
Faleminderit.
Lordi Xhorxh Robertson:
Z. Kryeministër më lejoni t'ju falënderoj shumë dhe të shpreh edhe njëherë kënaqësinë time të veçantë që jam përsëri këtu në Tiranë. Ambasadorët e Këshillit të NATO-s erdhën në Shqipëri për të rikonfirmuar edhe njëherë angazhimin e tyre dhe për politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Ata erdhën këtu për të ndarë edhe njëherë zhgënjimin që pësoi Shqipëria, që nuk u ftua së bashku me anëtarët e tjerë për t'u futur në NATO. Njëkohësisht, ata erdhën këtu për ta inkurajuar Shqipërinë që të vazhdojë përpjekjet në kryerjen e reformave dhe përmbushjen e standarteve që kërkohen me qëllim që edhe ajo një ditë të hyjë në NATO. Ambasadorët patën takime me Presidentin, Kryeministrin, Ministrin e Jashtëm, Ministrin e Mbrojtjes. Këto ishin takime gjatë të cilave u përçuan mesazhe të forta, por njëkohësisht u morën edhe përgjigjet e duhura.
Ne përkrahim ambicjen e Shqipërisë për t'u bërë anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ne vumë në dukje përparimin e bërë dhe e lavdëruam qeverinë për këtë. Gjithashtu, vumë në dukje se mbetet ende punë për tu bërë. Për këtë, NATO do ta ndihmojë Shqipërinë. Anëtarësimi në NATO nuk është një dhuratë. Anëtarësimi në NATO nuk është një privilegj. Ai është një përgjëgjësi e vështirë, por që mbart në vetvete edhe mjaft privilegje. Për të hyrë në NATO nuk ka derë të pasme, përveç derës që ekziston për të gjithë në të cilën mund të hysh duke bërë një punë të vështirë. Vendet që duan të hyjnë në NATO duhet të jenë në gjendje të konkludojnë për sigurinë dhe jo vetëm të përfitojnë prej saj. Ne këtu kemi parë përparim të bërë në fushën e mbrojtjes dhe në fushat e tjera. Gjithashtu, ne jemi në gjendje të ndihmojmë në të ardhmen.
Më lejoni që të them edhe si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, si herë e fundit që vij me këtë cilësi në Shqipëri, që unë e kam njohur Shqipërinë që në vitin 1997 kur u bëra Ministër i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe. Më shumë e njoha Shqipërinë kur mora detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Unë jam një admirues i Shqipërisë dhe i popullit të saj zëmërgjerë. Në përpjekjet që bëmë ne për t'i dhënë fund genocidit të realizuar nga Millosheviç, nuk do ta harroj asnjëherë atë që populli dhe Qeveria Shqiptare bëri për të ndihmuar NATO-n në përpjekjet e saj. Një nga gjerat që ma shtuan vendosmërinë për të fituar, ishte vizita që bëra në Kukës në një kamp refugjatësh në 1999.
Mesazhi që dua të jap sot, të cilin e theksova edhe në takimin me parlamentarët sot, është shumë i qartë: E ardhmja e Shqipërisë varet nga populli i këtij vendi, nga udhëheqja politike qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Vetëm ky popull e ka në dorë që të përmbushë kërkesat për të hyrë në NATO dhe BE. Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga trashëgimia e vjetër e së kaluarës dhe të bëhen të tëra ndryshimet për të hyrë në NATO e BE. Prandaj një pjesë e rëndësishme e pasaportës së Shqipërisë për të ardhmen do të jetë lufta kundër krimit e kriminelëve. Me këtë rast, dua të përgëzoj përpjekjet e vendosura të Kryeministrit tuaj për të luftuar krimin, korrupsionin dhe trafiqet që janë tipike për këtë rajon. Dy tregues të qartë të asaj që është bërë dhe që mund të bëhet, janë lufta e suksesshme që ka zhvilluar qeveria juaj kundër gomoneve, sikurse dhe angazhimi i saj mjaft konstruktiv në Marrëveshjen e Ohrit. Me vete ambasadorët e NATO-s do të marrin përparimin e dukshëm që kanë parë këtu në Shqipëri. Edhe pse do të presin që të bëhet një përparim më i dukshëm në krahasim me të kaluarën, besimi i tyre do të forcohet me vizitën që bënë këtu.
Pyetje e TVSH-së për Lordin Robertson dhe për Kryeministrin Nano:
Sa afër është Shqipëria në afatin e saj për të hyrë në NATO duke patur parasysh këto që keni parë gjatë vizitës suaj në Shqipëri?
Lordi Robertson:
Në qoftë se Shqipëria arrin t'i përmbushë kushtet që kërkohen prej saj prespektiva e hyrjes së saj në NATO nuk do të jetë një ëndërr e largët. Pra kur të përmbushen kushtet dhe të arrihen standartet jam i sigurt që edhe Shqipëria ashtu si shtatë vendet e tjera, vitin që shkoi në Pragë, do të marë edhe ajo ftesën për të hyrë në NATO. Do të ishte diçka e pamenduar mirë nga ana ime në rast se do të vendosja një afat kohor, pa ditur se kur do të plotësohen këto standarte, do të përmbushen këto kushte.
Kryeministri Nano:
Unë besoj se më duhet të kujtoj se kur mora drejtimin e qeverisë aktuale paraqita një program 35 mujor reformash dhe angazhimesh qeverisëse që janë në përputhje me objektivat e Planit të Veprimeve për Anëtarësim në NATO. Ky program veprimesh po zbatohet dhe monitorohet me sukses. Edhe konsultimet e sotme ishin një instrument i dobishëm në këtë funksion. Qeveria që unë drejtoj mbaron mandatin në mes të vitit 2005. Pas kësaj ka dy ngjarje që presim: zgjedhjet e reja parlamentare dhe Samiti i ardhshëm i NATO-s për anëtarësime të reja. Natyrisht, mbetem i angazhuar për t'i fituar të dyja sfidat.
Pyetje e Televizionit të Kosovës për Lordin Robertson:
Ditë më parë, Gjenerali Mini, Komandant i KFOR-it, ka deklaruar në Prishtinë se është i mundur angazhimi i një force ballkanike për të ruajtur sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe trupa serbe. Kjo ka hasur në një kundërshtim të menjëhershëm të autoriteteve vendore në Kosovë. Eshtë ky një mendim edhe i NATO-s?
Lordi Robertson:
Unë posa e shpreha mendimin tim për këtë çështje. Cështje të tilla politike vendosen nga Këshilli i Atlantikut Verior dhe këto bëhen të ditura publikisht nga Sekretari i Përgjithshëm që është edhe Zëdhënësi i NATO-s. Ky nuk është pozicioni i Këshillit të Atlantikut Verior dhe kaq besoj se mund të dini.
Pyetje e REUTER për z.Robertson:
Cilat ishin disa nga mesazhet që Ju i dhatë liderëve shqiptarë? Cfarë kërkuat konkretisht që të bëhet, kërkesa për të cilat thatë se morët përgjigje? Cfarë mund të na thoni për arestimet e fundit në Shqipëri të disa personave që mendohet se udhëhiqnin AKSH-në?
Lordi Robertson:
Diskutimet që u zhvilluan sot nuk janë diskutime publike, por janë diskutime zyrtare që zhvillohen midis ambasadorëve dhe udhëheqësve shqiptarë. Por mund t'ju them gjithësesi se ne pyetëm për ritmin e reformave në Ushtri dhe për fondet që i alokohen Ushtrisë. Për këtë morëm përgjigje të mirë. Gjithashtu, pyetëm për ligjet që do të miratohen apo që janë miratuar për të luftuar ekonominë informale dhe për këtë morëm një raport me ligjet që ka miratuar Parlamenti.
Gjithashtu, ju thamë se zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 12 tetor janë një ngjarje që do të shikohet me shumë vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar dhe morëm përgjigje se për këtë janë miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese ligjore.
Gjithashtu pyetëm se çfarë po bën Shqipëria për të luftuar trafiqet e paligjshme dhe morëm përgjigje për luftën e suksesshme që është bërë në lidhje me gomonet, që janë eleminuar pothuajse. Ne bëmë shumë pyetje dhe këto janë disa prej përgjigjeve që morëm.
Përsa i përket arrestimeve që mund të bëhen në këtë vend kjo është një çështje që i takon autoriteteve të tij. Por në qoftë se arrestohen ekstremistë të cilët përdorin dhunën për të realizuar qëllimet e tyre politike, ne presim që këta të kapen dhe të dënohen me rreptësi.
Pyetje e TVA-së për Kryeministrin Nano:
Si do të shtrihet më tej bashkëpunimi me të gjithë aktorët politikë dhe jo politikë brenda vendit për të realizuar reformat që përfshihen në planin tuaj 35 mujor të qeverisë që drejtoni?
Kryeministri Nano:
Unë besoj se dhe ju keni konstatuar veçanërisht vitin e fundit një progres në bashkëpunimin midis forcave të spektrit parlamentar që po bëhet gjithnjë e më institucional dhe konsensual për përshpejtimin e reformave që na sjellin si produkt konkluziv kapjen e standarteve të anëtarësimit në NATO. Qeveria ndjehet mirë kur arrin me negociata dhe kompromise, konsensuse të gjera për avancimin e mëtejshëm të këtyre reformave. Unë besoj se opozita apo forca politike joqeveritare do të vazhdojnë të kenë të njëjtën hartë dhe rrugë veprimesh për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si ajo që po zbatojmë nën kujdesin dhe monitorimin e autoriteteve përfaqësuese të NATO-s aktualisht. Ne mbetemi të angazhuar që edhe zgjedhjet administrative të këtij viti dhe ato të 2005-ës ta konsolidojnë këtë klimë bashkëveprimi ndërparlamentar në Shqipëri që nxit dhe garanton suksesin e reformave të anëtarësimit euro-atlantik.
Lordi Robertson:
Më lejoni të them diçka tjetër. Dua të shpreh falenderimin dhe nderimin tim për të gjithë ata ushtarë që kanë ardhur në Shqipëri për të na ndihmuar që nga 1999. Zoti Xhonson që është Komandant i Forcave të Europës Juglindore dhe gjeneral Toci, i cili është Kryetar i Shtabit të NATO-s në Durrës dhe ndërkohë ai po i udhëheq në një vizitë ambasadorët e NATO-s atje. Por duhet ta dini se që nga 1999 kanë qënë mijëra ushtarë të NATO-s që kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë ndihmuar Shqipërinë dhe popullin e saj. Ata i kanë kushtuar kohën e tyre, profesionalizmin e tyre, energjitë e tyre Shqipërisë për të kaluar atë periudhë që është konsideruar një periudhë e vështirë për të, ta ndihmojnë këtë vend dhe këtë popull në rrugën e tyre në anëtarësimin në NATO. Këta njerëz janë shpërndarë në të gjithë Europën pasi kanë marë një përvojë mjaft interesante këtu në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria dhe populli i saj i detyrohet shumë këtyre forcave dhe unë personalisht jam shumë krenar për atë që ata kanë bërë.