Lorenco pole në Gjermani, Stoner dhe dy Hondat pas tij
Kur mungonin 25 minuta nga mbyllja e provave zyrtare, me Dani Pedrozën që ndodhej në krye, xhirot kualifikuese të çmimit të Madh të Gjermanisë ndërpriten për shkak të “lumit të vajit” të derdhur në pistë nga Jamaha e Horge Lorencos. Madje, në pjesën e fundit të drejtë të cirkuitit të Saksenringut, motori me numrin 99 i pilotit spanjoll merr flakë. Më keq se spanjolli e ka pësuar Randi De Puniet: francezi bie nga Honda e tij për të shmangur përplasjen me Jamahan e Ben Spajs, por gjatë rënies godet me gjunjë motorin e amerikanit. Edhe pse u largua me barelë, De Puniet arriti të ngrihej në këmbë dhe sot do të jetë në garë. 180 sekonda përpara fundit të provave, Lorenco regjistron kohën më të shpejtë (1’21”817), ndërsa në xhiron e fundit Stoner me Dukati gjen në trajektoren e tij Eduards, i cili e ngadalëson dhe kënaqet me vendin e dytë. Pedroza dhe Doviciozo me Honda do të nisen nga vendet 3 dhe 4, ndërsa Valentino Rosi, i rikthyer nga dëmtimi u rendit i pesti: në motor “Doktori” duket i pandalshëm, pavarësisht se vazhdon të ecë me ndihmën e patericave.
#