Lorik Cana Ndëshkim nga dy gabime
- Ishte një ndeshje që u vendos nga episodet.
- Ndikoi shumë goli i parë. Në minutat e para ne patëm disa vështirësi, por më pas e morëm veten dhe nuk po lejonim hapësira. Futbolli është i pamëshirshëm shpeshherë, sepse nuk po u linim hapësira dhe e pësuam nga një episod. Në pjesën e dytë filluam të luanim më tepër me topin, e mbyllëm Zvicrën në gjysmëfushën e saj, por një tjetër gabim solli golin e dytë dhe aty ndeshja mund të quhej e mbyllur.
- Duhet ndryshuar diçka?
- Mendoj se duhet të shohim përpara. Skuadra ka luajtur me të gjitha mundësitë e saj. Kemi shumë potencial. Nuk jemi skuadër nga ato që mbyllemi në mbrojtje, por duam të luajmë futboll. Më vjen keq që në dy ndeshje kemi pësuar tre gola, kjo është diçka që duhet ndrequr patjetër.
- Në ndeshjen me Qipro ekipi ishte shumë i organizuar, sidomos në mbrojtje, pse këtë herë ndodhi ndryshe?
- Kjo shpjegohet edhe nga cilësia e lojtarëve të Zvicrës. Janë më mirë, megjithatë duhet thënë se Zvicra nuk mundi të krijonte raste, thjesht shënoi dy gola nga dy gabimet tona. Duhet të jemi të vëmendshëm, sepse me këto skuadra edhe një gjysmë gabimi kushton shumë shtrenjtë.
- Tani kemi dy ndeshjet e ardhshme…
- Të shohim përpara, kemi tifozë të mrekullueshëm që na mbështesin. Dy ndeshjet e radhës i kemi në Tiranë dhe duam ta mbyllim vitin me dy fitore. Me përkrahje si ajo kundër Qiprios mund tia arrijmë dhe të tregojmë përsëri gjëra pozitive.
Jamir Hyka
Ishim pa fat, gola të evitueshëm
- Ky stadium është shtëpia juaj, por për herë të parë luajtët me kombëtaren. Çfarë emocionesh kishit?
- Ishte një ndeshje speciale për mua, por fatkeqësisht humbëm. Besoj se bëmë ndeshje të mire, por pësuam dy gola të pafat. Tani të shohim përpara, për ndeshjet e ardhshme
- Fole shpesh me Xherdan Shaqirin, çfarë i thatë?
- Xherdanin e kam shumë mik. I thashë të mos na bënte gol, por e bëri (qesh).
- Cila është e ardhmja e kësaj skuadre, sepse ka shumë cilësi dhe alternativa?
- Po, kemi cilësi, megjithatë na duhet edhe pak kohë. Kemi lojtarë që tani kanë ardhur dhe duhet të integrohen më mirë.
Andi Lila
Tifozëve u kemi një borxh
- Si ndiheni pas kësaj humbjeje?
- Shumë keq, sepse kam pritur me padurim këtë ndeshje, prej muajsh. Më vjen keq që humbëm. 15 minutat e para studiuam lojën, më pas e morëm veten. Na erdhi shumë keq për tifozët në stadium, na u duk vetja sikur ishim në Shqipëri.
- Do të thotë se u keni një borxh?
- Patjetër, duhet të fitojmë ndeshjen e radhës. Niveli i lojës është rritur dhe kemi mundësi për të shkuar më larg.
- Deri ku?
- Flasim pas dy ndeshjeve në Tiranë. Nëse marrim gjashtë pikë në ato dy ndeshje, do të jemi në pozita shumë të mira.
Burim Kukeli
Nuk ishim inferiorë
- Ndeshja e dytë për ju me kombëtaren, u ndiet më i bashkuar me grupin?
- Po, nuk pata probleme, por më vjen keq që u mundëm.
- Mënyra e lojës mund të ishte më e përshtatshme për lojën tuaj…
- Luajtëm me tre mesfushorë qendre, për të mos lejuar hapësira. Nuk mendoj se Zvicra luajti më mirë se ne, por ja që ne bëmë dy gabime dhe na ndëshkuan.
Valon Behrami
Ne, imazh për shqiptarët
- Si u ndiet nga vërshëllimat kundër jush?
- Unë jam krenar për atë që kam bërë në jetë. Jam krenar për këta shqiptarë që kanë ardhur këtu, sepse e di çfarë pune kanë bërë. Shkova të flas me ta, por nuk deshën. Nuk ka problem, ne u kemi dhënë imazh të mirë shqiptarëve në Zvicër.
- Si ju duk Shqipëria?
- Shqipëria ishte skuadër luftarake. Luftonin që të gjithë bashkë. Kualitetin e kanë në sulm, si me Bogdanin. Ne bëmë lojë të mirë, kemi skuadër të mirë dhe të bashkuar.
- Tani jeni favoritë për Brazil 2014.
- Po, shpresojmë shumë, sepse kemi skuadër të fortë.
- Para ndeshjes, gazetat zvicerane shkruanin se si mund të luajë kundër Shqipërisë dikush që ka për tatuazh shqiponjën dykrenore…
- Unë jam krenar që jam shqiptar. E kam bërë tatuazhin pas luftës. Kosova është toka jonë.
- Një mesazh për tifozët shqiptar.
- Jam krenar për ta.
Granit Xhaka
Ndeshje e vështirë, kam gjak shqiptari
- Je përfolur shumë para ndeshjes, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë…
- Ne gjakun e kemi shqiptar. Nuk e kishim të lehtë këtë ndeshje, por të gjithë ata që na njohin e dinë që ne jemi shqiptarë.
- Si e vlerësoni Shqipërinë?
Skuadër shumë e fortë dhe me lojtarë të mrekullueshëm.
- Po Zvicra, ku mund të shkojë?
- Deri në Brazil, jam i bindur.
- Behrami ka tatuazh shqiponjën, po ju?
- Unë kam flamurin shqiptar te këpucët, bashkë me atë të Zvicrës.
Xherdan Shaqiri
I ndarë me gëzimit dhe hidhërimit
- E kishit parandier se do të shënonit dhe nuk festuat…
- Jam i gëzuar që fitoi Zvicra, por më erdhi keq që i shënova Shqipërisë.
- Çfarë do tu thuash shqiptarëve?
- Shumë më kanë quajtur tradhtar, por nuk e dinë realitetin. Duhet ta dinë atë më parë, pastaj të flasin.
- Gazeta Blick kishte një montazh ku ju goditni shqiponjën me top…
- (qesh)
Himni i heshtur
Granit Xhaka shkaktoi rrudhje buzësh në Zvicër, sepse këndoi himnin kombëtar shqiptar te Borusia Mënshengladbah, ndërsa Xherdan Shaqiri premtoi se do ti këndonte të dy himnet në prag të ndeshjes së mbrëmshme. Ndërkohë, mijëra shqiptarë në stadium të shkaktonin mornica vetëm duke imagjinuar se çfarë do të ndodhte kur të ekzekutoheshin notat e magjishme. Në fakt, mbetëm vetëm duke imagjinuar, sepse veshët na i mbylli televizioni publik shqiptar. Ekzekutimi i himneve u përcoll vetëm me pamje, pa pasur kolonë zanore. Në këtë mënyrë, një nga rastet më të shumëpritura të këndimit të himnit u shndërrua thjesht në një film pa zë, të zhveshur nga emocionet. Si një ogur i keq për atë çka vijoi më pas