Rrogat në Serie A

Milani ka zbritur faturën e përgjithshme të rrogave të futbollistëve për 60 milionë euro, por mbetet ende skuadra me shpenzimet më të mëdha në Serie A.
E përditshmja sportive italiane Gazzetta dello Sport ka publikuar raportet vjetore të 20 skuadrave që formojnë edicionin e ri të elitës së futbollit italian dhe ato tregojnë se shumë klube kanë marrë masa para aplikimit të rregullave të reja të fair-playt financiar të imponuar nga UEFA.
Pas largimit të një numri të madh veteranësh gjatë afatit kalimtar të verës si dhe yjeve si qendërmbrojtësi Thiago Silva dhe sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç, Rossonerët tani shpenzojnë 120 milionë euro në sezon.
Edhe rivali i tyre i qytetit Inter ka qenë mjaft i zënë gjatë verës duke zvogëluar shpenzimet dhe ka shpëtuar 40 milionë euro, duke sakrifikuar futbollistë si Julio Cesar, Lucio, Douglas Maicon dhe Diego Forlan, të gjithë të larguar gjatë afatit kalimtar të verës.
Kurse, kampioni i Italisë, Juventus, ka shënuar ngritje të lehtë të shpenzimeve, derisa përpjekjet e Romës për të balancuar financiarisht janë ndikuar nga kontrata e re e mesfushorit Daniele de Rossi, i cili do të përfitojë 6 milionë euro në vit. Genoa ka shpëtuar 7 milionë euro, Siena 4, kurse Palermo 2.6.
Faturat e klubeve dhe futbollistët më të paguar sipas skuadrave:
Milan €120m (Pato €4m), Juventus €115m (Buffon €6m), Inter €100m (Sneijder €6m), Roma €95m (De Rossi €6m), Lazio €66.2m (Klose €2.1m), Napoli €53.2m (Cavani €4.5m), Fiorentina €38.8m (Jovetic €2.5m), Sampdoria €29.8m (Palombo €1.5m), Genoa €28.9m (Borriello €1.4m), Bologna €28.4m (Gilardino €1.2m), Atalanta €23.7m (Denis €1m), Palermo €23.4m (Miccoli €1.2m), Torino €22m (Bianchi €1.3m), Udinese €21.2m (Di Natale €1.3m), Parma €21.2m (Amauri €1m), Siena €18.9m (D’Agostino €0.8m), Catania €18m (Andujar €0.6m), Cagliari €15.9m (Conti €0.75m), Chievo €15.9m (Pellissier €0.8m), Pescara €10.8m (Celik €0.4m).
Top 10 futbollistët më të paguar në Serie A:
Buffon (Juventus), De Rossi (Roma) dhe Sneijder (Inter) €6m, Totti (Roma) €5m, Cavani (Napoli) dhe Milito (Inter) €4.5m, Cambiasso (Inter), Mexes (Milan), Pato (Milan) dhe Robinho (Milan) €4m.