E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: "Duhet të jem gjithmonë në 300 për qind"

Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, ndihet i kënaqur me fitoren e Olimpikut përballë Lensit (1-0). Shqiptari pranon se këshillat e trajnerit Gerets janë të vlefshme, por mesfushori i Shqipërisë pranon gjithashtu se dhe roli i tij si kapiten e nxit atë të japë maksimumin deri në fund të takimit.

Lorik, kjo fitore në shtëpi duhet t'ju lehtësojë?
Po, sigurisht. Vitin e kaluar e ndërtuam suksesin tonë sidomos me ndeshjet tona në shtëpi. Ishim ekipi më i mirë në ndeshjet brenda. Këtë vit kemi pasur shumë vështirësi. Duhet të marrim pikë jashtë, kjo është diferenca. Për të rifituar besimin tonë dhe për vazhdimësinë e kampionatit, fitorja ndaj Lensit është shumë e rëndësishme, përballë një kundërshtari që ndodhet po në vështirësi, nuk është e lehtë të luash. Ishin të rigrupuar mirë, ndërtuan një kurth ndaj nesh, por ia dolëm. Na shërbeu për të fituar më shumë besim për ndeshjen e ardhshme në kampionat kundër Soshosë.
Nuk është akoma Olimpiku i madh, apo jo?
Unë e njoh shumë mirë potencialin e ekipit tim. E di se mund të jetë në gjendje të bëjë gjëra akoma më të mira. Unë mendoj, megjithatë, se kemi bërë një paraqitje solide. Kundër Lensit kishim mundësi të shënonim edhe një gol të dytë apo të tretë. Duhet të ndërtojmë baza solide për t'u bashkuar. Kemi kaluar momente shumë të vështira, ashtu sic kemi përjetuar nivel të lartë të performancës. Unë mendoj se në mund të bëjmë akoma më mirë, ashtu sic e treguam në Angli (kundër Liverpulit).
Erik Gerets duket se po i jep shumë rëndësi rolit të kapitenit...
Kur nuk shkon dicka, jam unë që ai atakon i pari. Por aq më mirë! Më pëlqen kjo (qesh). Trajneri i jep një rëndësi të madhe këtij roli. Duhet të jem gjithmonë në 300 për qind dhe unë e marr si një përgjegjësi të madhe. Dialogojmë shpesh me trajnerin. Unë po përpiqem të jem gjithashtu një partner e tij dhe t'i jap atij informacione për humorin dhe gjendjen e grupit. Për momentin kjo po shkon mjaft mirë dhe rezultatet pozitive do të na bëjnë t'ia kalojmë edhe më mirë.
Të mërkurën kundër Portos do të jetë një ndeshje vendimtare për kualifikimin?
Po, mund ta themi këtë. Do të takojmë një kundërshtar direkt për kualifikimin e të tetave të finales. Kemi shansin për të marrë një tjetër fitore në shtëpi pas dy fitoreve të arritura në dy ndeshjet e para. Është një mundësi e mirë që na është dhënë për të hapur portat e të tetave të finaleve dhe sido që të jetë rezultati, do të jemi sërish në garë pas kësaj ndeshjeje. Gjendja jonë shpirtërore dhe dëshira është të fitojmë të gjitha ndeshjet. Edhe në Liverpul fituam falë kësaj dëshire për fitore.
Liga e Kampioneve është gjithmonë një ngjarje?
Për një futbollist, këto janë ndeshje të jashtëzakonshme për t'u luajtur. Do të kemi publikun pas nesh. Dhe për më tepër, personalisht ndaj Portos në Ligën e Kampioneve ia kam dal mirë, duke marrë 4 pikë nga 6 të mundshmet (Cana luajti me Paris Sën Zhermenin 2-0 në Paris dhe 0-0 në Porto). Shpresoj ta bëj këtë edhe me Olimpikun e Marsejës.
Pas mbërritjes së Geretsit duhet thënë se Olimpiku po punon më shumë taktikisht.
Po, është një punë thelbësore. Kemi shumë nevojë, pasi kemi një grup që është i ri. Do ta bënim edhe me Albertin (trajnerin e shkarkuar), por me trajnerin Gerets po bëjmë një punë shumë të mirë dhe mendoj së është dicka e mirë për ne. Duhet t'i rregullojmë gjërat në të gjitha fushat.
Marrë nga om.net
Përgatiti: D.Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›