Sportingo: “Shqipëria e ndëshkuar nga gjyqtaret”

Sportingo.com, një nga sitet e njohura në internet për të pasionuarit e futbollit, ka shtruar një pyetje të rëndësishme në lidhje me trajtimin që u bëhet vendeve të vogla. "A janë duke marrë vendet e vogla një rrip kamxhiku?". Ky ishte titulli i artikullit të komentuesit Bred Xhonson, i cili i referohet tërësisht ndeshjes Shqipëri-Bullgari dhe vendimeve të gjyqtarit austriak Fritc Shtuhlik. "Shqipëria e dominoi ndeshjen kundër Bullgarisë, por disa vendime të varfra u dhanë kundër saj", - shkruhet aty. "Bullgaria vuajti presionin e madh të Shqipërisë për 90 minuta të plota në ndeshjen e tyre të vlefshme për kualifikueset e Euro 2008". Pasi përmend startin e bukur të Shqipërisë me golin e Klodian Duros, pas devijimit të bullgarit Kishishev dhe rasteve të Hamdi Salihit e Erjon Bogdanit, penalltinë e humbur nga Skela në minutat e fundit, Xhonson shtron edhe problemin e tij kryesor. "Edhe një herë tjetër duket se gjyqtarët janë duke treguar paragjykimin e tyre kundër ekipit shqiptar. Oto Baric u nxor jashtë në minutën e 24-t pas debatit të ashpër me gjyqtarin austriak Fritc Shtuhlik rreth vendimeve të dyshimta. Shqipëria vuajti edhe pas penalltisë së dhënë për prekje me dorë kur lojtarit nuk iu dha kartoni i kuq, në përshtatje me rregullat e UEFA-s. Gjatë muajit shtator, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) pa me shumë kujdes episodet e ndeshjes kundër Holandës, vecanërisht kur autogoli i minutës së 44-t u anulua (nuk kishte asnjë shpjegim rreth këtij vendimi). Nga ana tjetër, kishte një numër vendimesh të dyshimta nga gjyqtari Majk Rilej në favor të Holandës. FSHF është e sigurt se UEFA, pasi të ketë marrë raportin e të dërguarit të saj dhe vëzhguesit, do të marrë në konsideratë brengosjen e këtij institucioni. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, u informua personalisht për pakënaqësinë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka. A janë vendet e vogla më të diskriminuara nga gjyqtarët? Postoni komentet tuaja ose parashtroni artikullin tuaj te Sportingo", mbyllet shkrimi.