"Lorna" mbërrin në Tiranë
Ajo solli në Tiranë historinë e Lornës, vajzës shqiptare që përpiqet të ndërtojë ëndrrat në Belgjikë. Aktorja Arta Dobroshi prezantoi dje në Tiranë peripecitë e një emigranteje shqiptare, për të ngritur një jetë të ligjshme në një vend të huaj. Lorna ëndërron të ngrejë një biznes të sajin dhe për të fituar nënshtetësinë i duhet një martesë e rremë. Klodi, një i droguar, është bashkëshorti që do t‘i sigurojë letrat e qëndrimit në Belgjikë. Më pas, ajo do të martohet me një mafioz rus, i cili do të zhvillojë biznesin e tij në këtë vend. "Heshtja e Lornës" ("La silence de Lorna"), që u shfaq dje në mbrëmje premierë, shënoi njëkohësisht edhe çeljen zyrtare të edicionit të gjashtë të "Tirana International Film Festival". Sot, programi do të vijojë me shfaqjen e 13 filmave me metrazh të shkurtër. Gjithashtu, në programin special të ditës së sotme do të shfaqet filmi "Land of Eagles", me regji të Fatmir Koçit si dhe "Illiuminata" nga J. Turturro.