E Diel, 1 Nëntor 2026

Në bankat ku u ulën Enveri, Kadareja dhe Agolli

...Ngjit njeriu kalldrëmet e gurta të Gjirokastrës, kthen kokën majtas e djathtas, i duket sikur i flet dikush; hapa e ndjekin pas, ndaj kthen kokën. Askush. Gjithçka është brenda tij, në ndërgjegjen e tij. Kujtimet. Fëminia. Rinia. Këtu ka kaluar një pjesë të jetës së tij. Gjithçka i është e njohur dhe e dashur. Rrugët, shtëpitë, njerëzit, paçka se nuk janë ata të dikurshmit, paçka se edhe qyteti i tij ka marrë një tjetër pamje. Shumë gjëra kanë ndryshuar; shumë kanë ikur e të tjerë të rinj kanë ardhur. Ka ndryshuar mendësia e mënyra e jetesës. Po guri është në vendin e vet, i patjetërsueshëm. Monumenti i Çeços të përshëndet nga piedestali, ndërsa kalaja me madhështinë e vet zotëron gjithë pamjen. Në vendin e vet edhe shkolla është e dashur. I madh malli për atë që vjen pas një kohe të gjatë shkëputjeje, por edhe për atë që fare pak kohë ka që është larguar prej tij...

Një ditë, një miku im i moshuar që banon në kryeqytet, erdhi në qytetin e gurtë pas disa vitesh. Janë vite të tëra larguar prej tij. I ngjiti shkallët ngadalë. U çmallëm. Dua të vi në shkollë, më tha. Më ka marrë malli. Dhe erdhi. I ngjiti shkallët ngadalë dhe e pashë që po mallëngjehej. Kjo ka qenë klasa ime, tha dhe tregoi derën e dytë djathtas në katin e dytë. Në atë klasë kisha mësim. Hymë, u ul në bankën e dytë në rreshtin e mesit. Dëgjonte me vëmendje gjatë gjithë mësimit i përhumbur në kujtimet e veta. Ora mbaroi dhe ai u ngrit. Sa më shumë shkojnë vitet, aq më të dashura na bëhen ato të rinisë dhe pikërisht këto vitet tuaja të gjimnazit, iu drejtua nxënësve, edhe tonat, shtoi pas pak. Mua sot m‘u duk vetja sikur jam sa ju, shtatëmbëdhjetëvjeçar…

Është e kuptueshme se me kalimin e viteve njeriu ndien nostalgji për gjërat e kaluara e, për më tepër, dëshiron përtëritjen e tyre, gjë e pamundur në realitet, por mendja njerëzore bredh monopateve të një moshe të kaluar dhe përjeton ato çaste të papërsëritshme, të ëmbla apo të hidhura qofshin. Kështu ndodh përherë. Kështu më ndodh sa herë ngjit shkallët e gurta të shkollës, ku kam hedhur hapat e parë e nga kam nisur të ëndërroj për shtigjet e reja që do të hapeshin para meje. Këtu, në këto banka njeriu ndien se çfarë do të thotë shoqëri e miqësi e vërtetë e, për më tepër, pikërisht në këto banka nisin edhe zemër-rrahjet e dashurisë. Këtej nisin ëndrrat për të ardhmen. Herë-herë janë thjesht fluturime fantazie e herë të tjera me këmbët në tokë.

Kalojnë vitet dhe njeriu i kujton me nostalgji ato orë të kaluara. Na ka ndodhur të gjithëve të kemi mall për diçka që nuk mund të kthehet më. Kështu ndodh edhe me vitet e rinisë të kaluara në bankat e kësaj shkolle. Nuk është kjo thjesht një përjetim vetjak, por përvojë e shumë brezave. Bisedon me më të moshuar, me bashkëmoshatarë e bashkënxënës, apo edhe më të rinj dhe secili që ka kaluar nga këto banka e ndien këtë nostalgji dhe e shpreh atë në forma nga më të ndryshmet.

Në fjalën e mbylljes së vitit të parë mësimor 1923 - 1924 drejtori francez i kësaj shkolle, Viktor Kuttan, ndër të tjera theksoi: "...sido që të jetë, këta djem që po shihni këtu, do të jenë një ditë nderi dhe fama e Gjirokastrës. Uroj qytetin tuaj, i cili me grupin e të diturve dhe të përparimtarëve të tij meriton të mbetet një nga qendrat e kulturës shqiptare". Dhe kjo, si të thuash, profeci, u realizua. Të shumtë janë ata që kaluan nga këto banka dhe e ngritën lart emrin e Gjirokastrës, qytetit të gurtë dhe të shkollës së tyre. Kjo shkollë me brezat që kaluan prej saj rrezatoi në të gjitha fushat e jetës. "...ky gjimnaz ka qenë e vazhdon të mbetet kështjella e dytë e qytetit të vjetër: kështjella e diturisë dhe e dijes, jo vetëm për qytetin, por për gjithë atë zonë të Shqipërisë", e cilëson ish-nxënësi i saj Ismail Kadare, në përshëndetjen e tij më 1998, me rastin e 75-vjetorit të çeljes së saj.

I veçantë kontributi i saj në letrat shqipe. Përmendëm më sipër Kadarenë, shkrimtarin tonë të madh, që me veprën e tij e bëri të njohur jo vetëm Shqipërinë, por edhe qytetin e tij nëpër botë. Pikërisht në këto gurë, nga këto banka nisën "Ëndërrimet" e "Frymëzimet djaloshare" dhe krahët u forcuan me veprat e tjera madhore.

"Unë këtu në Gjirokastër si korçar kisha ardhur si Mihal Gramenoja që të takoja Çerçizin, por unë takova Ismail Kadarenë. Ja Çerçizi dhe Mihali këtu u formuan, në këta gurë, edhe Ismail Kadareja dhe unë Dritëroi këtu u formova", nënvizon Dritëro Agolli, një tjetër ish-nxënës i kësaj shkolle…

-Me përpjekje e hapi populli i Gjirokastrës këtë shkollë në atë kohë të vështirë. Shumë flet për këtë kronika e kohës në "Demokratia". Epoka nuk donte dijen e kulturën, qeveritarët nuk donin rivalë, populli i donte të dyja: dhe dijen, dhe kulturën.

Qyteti i gurtë, që brenda gjirit mbante drama, ku gjallonte një jetë e madhe, ku gëlonte kënga, ku bëmat e Çerçizit njerëzit i ruanin fort, ku Idriz Guri me bastunët e vargjet e tij ishte i pranishëm në familjet gjirokastrite, padyshim kishte kërkesat dhe ndikimin e vet mbi liceun dhe jetën e tij, mbi ata që nisën rrugën e krijimtarisë nga këto banka.

Vitet kalojnë dhe ato lënë vulën e tyre në krijimtarinë e autorëve, kontributi i të cilëve është i suksesshëm në fusha të ndryshme të letrave tona: poezi, romane, dramaturgji, skenarë filmash, kritikë e studime, ese, publicistikë etj., dhe kudo të suksesshëm si brenda dhe jashtë vendit.

Këto ditë ishte në qytetin e lindjes Kadareja që ka bërë emër në botë, por ai mbeti njeriu i thjeshtë, qytetari i lidhur ngushtë me gurin, bëmat e vendlindjes. Këtë dëshmon edhe romani i tij i fundit, "Darka e gabuar". Në bisedat e tij nuk la pa përmendur edhe liceun e dikurshëm. Foli me dashuri e respekt për mësuesit e tij të dikurshëm, për punën që bëhej, për letërsinë, për godinën madhështore dhe për gjallërinë që i jepnin qytetit gjimnazistët.

Në këto banka, klasa e korridore kaluan Myzafer Xhaxhiu, Halim Stolia, Mexhit Kokalari, Qamil Buxheli, Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka), Agim Shehu, Bekim Harxhi, Agron Fico, Hulusi Hako, Halil Laze, Pavllo Gjidede, Shaban Sinani, Petro Çerkezi, Vllasova Musta, Foto Malo, Thanas Dino, Valentina Mosko, Katjusha Pogaçe, Rajmond Taho, Ymer Çiraku, Hadër Mevlani e mjaft të tjerë. Emrat e tyre janë bërë të njohura për lexuesin shqiptar. Dikush iu përkushtua poezisë, dikush tjetër prozës së gjatë, dikush asaj satirike, dikush udhëpërshkrimit e studimit. Nuk mbeti fushë e letrave shqipe pa u rrokur nga penat e atyre që dolën nga këto banka...

Nëse do të krahasojmë dy nga shkrimtarët më në zë të letërsisë sonë, dy ish-nxënës të kësaj shkolle, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, njërin me rrënjët te ky gur e tjetri që solli me vete baltën e vendlindjes së Devollit, do të vërejmë se të dy e nisën rrugën e krijimtarisë me poezi, te të dy fantazia dhe ëndrrat e moshës gjejnë shprehjen në krijimet e tyre, por te njëri fjala pa peshën e gurit, ndërsa te tjetri atë të baltës që e ngjizi...

"Të gjithë i themi Tokës nënë,

Se Toka na mëkon;

Dhe kur çdo gjë ia kemi ngrënë,

E heshtur na mbulon!", thekson dialektikën e jetës një nga poetët e dalë nga këto banka. Është e kuptueshme kjo, por mbetet vepra, kontributi modest në letrat shqipe. Pikërisht këtu duket rrezatimi i këtij gjimnazi...

Le të shërbejë ky shkrim edhe si një homazh për ata që kanë ikur nga kjo jetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›