E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mrika", një udhëtim në kohë

Opera e parë shqiptare, "Mrika", e Prenk Jakovës, mbushi 50 vjeç. E shfaqur për herë të parë më 1 dhjetor të vitit 1958, me muzikë të Jakovës e libret të Llazar Siliqit, "Mrika" për herë të parë u shfaq në teatrin "Migjeni" të Shkodrës. Atë vit, nën interpretimin e muzikantëve shkodranë, nën drejtimin e vetë kompozitorit Prenk Jakova, "Mrika" pati sukses të madh duke u shfaqur tetëmbëdhjetë herë radhazi. Një vit më pas, në vitin 1959, opera e parë shqiptare u ngjit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, duke u kthyer në një pjesë të rëndësishme të repertorit të saj. Sot, 50 vitet e "Mrikës", Bashkia e Shkodrës, teatri "Migjeni", shoqata kulturore "Prek Jakova" dhe qendra kulturore "Pjetër Gaci", do të festojnë me një sërë aktivitetesh kulturore. Përgjatë një jave, në Shkodër do të përcillen pjesë të vëna në skenë nga opera "Mrika". Ndërkaq do të interpretojë në koncert ansambli i harqeve "Classic dhe Sound", si dhe do të organizohen koncerte me artistë shkodranë. Banda e qytetit do të përcjellë koncert për qytetarët, ndërsa do të organizohet edhe konkursi kulturor i qendrës kulturore "Pjetër Gaci".

Mrika, personazhi kryesor nga u ngjiz opera me të njëjtin emër, e ka zanafillën te poema në vargje e poetit Risto Siliqi "Mrika në shkangull" e botuar në vitin 1915. Fati tragjik i vajzës mirditore të atyre viteve i ishte ngulitur në kujtesë të birit të Risto Siliqit, Llazarit. Në vitin 1952, libretisti Llazar Siliqi dhe kompozitori Prenk Jakova realizuan një vepër muzikore (opera e vogël) me dy tablo "Dritë mbi Shqipni", ku personazhi kryesor është Mrika; përsëri një vajzë mirditore, por që merr guximin dhe lufton kundër disa normave dhe rregullave kanunore për një jetë më të mirë dhe të lirë.

Suksesi i operës "Dritë mbi Shqipni" frymëzoi Prenkë Jakovën dhe Llazar Siliqin të thellonin bashkëpunimin për krijimin e operës së parë shqiptare. Si bërthamë e operës "Mrika" mbeti subjekti i këtij veprimi. Për të përmbushur kërkesat e një dramaturgjie të zhvilluar operistike, ajo pësoi disa ndryshime. Personazhi i Mrikës u pasurua me disa linja të reja, u shtuan personazhe të rinj, si Doda (i dashuri i Mrikës), nëna Mare, daja Gjin dhe konsolidohet personazhi i gjyshit Ndue. Libreti përfundon në vitin 1956. Më 11 korrik të po atij viti u hodhën notat e para nga kompozitori Prenk Jakova. Partitura e operës "Mrika" përfundoi në muajin tetor të vitit 1958. Në maj të po atij viti, filloi puna për realizimin e operës. Ishte menduar që premiera e operës së parë shqiptare të ishte më 29 nëntor në teatrin "Migjeni". Por, nga vdekja e papritur e aktorit të teatrit "Migjeni", Zef Jubani, si dhe me kërkesën e Jakovës, premiera u dha më datë 1 dhjetor 1958. Në Shkodër, për herë të parë, në rolin e Mrikës, interpretoi Klotilde Shantoja. Ndërsa në Tiranë, në Teatrin e Operës dhe Baletit, e interpretoi sopranoja Marie Kraja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›