Luan Rama: PS i bën nder vetes, nëse kandidon Nanon për president
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i sugjeron Partisë Socialiste që të kandidojë për president të ardhshëm, Fatos Nanon. Sipas tij, kjo do tI bënte një nder të madh PS-së.
Për mendimin tim Fatos Nanon duhet ta propozojë Partia Socialiste. Madje po ta shtyj më tej vlerësimin tim, PS nuk mund të ofrojë kandidaturë më dinjitoze dhe më të plotë nga ajo e Fatos Nanos. Nëse ndodh kështu, PS i bën një nder të madh vetes, historisë së saj dhe gjithë investimit që ka bërë për këtë vend, ka thënë ai në një intervistë për revistën Klan.
Në lidhje me një bashkëpunim të mundshëm me PS-së, ai ka thënë se LSI ka një kusht të vetëm: interesat europiane të vendit.
Që dera e Lëvizjes Socialiste për Integrim të jetë e hapur për cilindo që do bashkëpunim dhe partneritet real, ka vetëm një kusht: interesat europiane të vendit. Nëse lidershipi i PS-së e gjen veten në këtë trase, pra në trasenë europiane të vendit, nëse do të kontribuojë për përshpejtimin e ritmeve të integrimit, për stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën e vendit, është i mirëpritur, deklaroi Rama.